Ka ndërruar jetë këtë të diel Pandeli Opingari, një nga figurat më të dashura dhe të respektuara të sportit në Vlorë, si pasojë e plagëve të marra në një aksident rrugor dy ditë më parë. Opingari, i njohur si një emër i madh në historinë e sportit vlonjat dhe ish-lojtar i Flamurtarit, humbi jetën pas një aksidenti të rëndë në qytetin e Vlorës.
Ngjarja ndodhi më 2 janar, në rrugën “Demokracia”, kur Opingari, 96 vjeç, po kalonte në vijat e bardha të kalimit për këmbësorë dhe u godit nga një automjet tip “Audi”, që drejtohej nga një 22-vjeçar me inicialet O.A. I moshuari u dërgua menjëherë në spital, ku mbeti për disa orë nën kujdesin intensiv. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi të mbijetonte.
Pas aksidentit, policia arrestoi drejtuesin e mjetit dhe ka nisur procedurat ligjore për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Lajmi i ndarjes nga jeta të Pandeli Opingarit ka shkaktuar dhimbje të madhe në qytetin e Vlorës dhe në komunitetin sportiv. Ai ishte një figurë e njohur jo vetëm si ish-lojtar i Flamurtarit në vitet ’60–’70, por gjithashtu si mësues i edukimit fizik, trajner dhe një emër i çmuar në jetën sportive dhe qytetare të Vlorës. Miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij e nderonin me emrin “profesor Pompi”, si një simbol i pasionit dhe përkushtimit të tij ndaj sportit dhe edukatës.
