Uruguaiani përmbys avantazhin e Torres në fitoren 2-1. Bajern fiton 1-0 ndaj Benfikës
Barcelona dhe Bajern Mynih kanë fituar në ndeshjet e para çerekfinale të Ligës së Kampioneve, por asnjë prej këtyre dy ekipeve nuk mund të quhet i kënaqur me sukseset e mbrëmshme. Katalanasit mundën 2-1 me përmbysje Atletiko Madrid, ndërsa bavarezët mposhtën 1-0 Benfikën, duke lënë gjithçka hapur për takimet e kthimit që i luajnë në fushën kundërshtare.
Në “Kamp Nou”, Barcelona synonte të vazhdonte serinë prej 6 fitoresh radhazi përballë Atletikos. Por skuadra e Simeones kishte studiuar mirë katalanasit dhe pasi u rezistoi sulmeve të minutave të para, goditi me anë të Fernando Torres, i aftë të shfrytëzonte një pavëmendje të prapavijës së vendasve në minutën e 25-të. Atletiko iu afrua shumë golit të dytë me Griezman dhe dukej se ishte në kontroll të ndeshjes, por Torres shkatërroi gjithçka brenda 10 minutash, kur mori dy kartonë të verdhë më se të evitueshëm, duke lënë ekipin e tij me një lojtar më pak në fushë. Ky episod ktheu ndeshjen në favor të Barcelonës. Për shumë minuta me radhë, katalanasit zhvendosën lojën në gjysmëfushën kundërshtare, duke krijuar raste të njëpasnjëshme me Mesin, Neimar e Suarez. Do të ishte pikërisht sulmuesi uruguaian ai që do të vendoste baraspeshën në shifra në minutën e 63-të të ndeshjes, dhe pak minuta më vonë, realizoi përmbysjen e plotë të takimit kur pas një kombinimi me Dani Alvesh, dërgoi topin në rrjetë me një gjuajtje me kokë. Barcelona provoi të shënonte përsëri, por e kishte të pamundur para mbrojtjes së Atletikos që u kthye plotësisht mbrapa, i kënaqur me këtë humbje 2-1 që i jep mundësi për kualifikimin në ndeshjen e kthimit.
Në takimin e luajtur në Mynih, Bajerni e nisi ndeshjen me një gol të shpejtë, duke lënë të mendohej për një goleadë përballë Benfikës. Bavarezët kaluan në avantazh me anë të Vidal që në minutën e 2-të të takimit dhe vazhduan të sulmonin pareshtur, në tentativën për të mbyllur sa më parë ndeshjen dhe kualifikimin. Por skuadra e Guardiolës ishte si rrallëherë shumë e pasaktë para portës kundërshtare në rastet që krijoi me anë të Riberi, Myler, Kosta e Levandovski, ndërsa edhe portieri Ederson bëri të vetën me pritjet e tij. Ndonëse Benfika luajti thuajse gjatë gjithë ndeshjes në mbrojtje, edhe ajo krijoi rastet e saj për të shënuar, duke iu afruar rrjetës me Gaitan e Jonas, por Nojer u tregua në lartësinë e duhur. Edhe pse kjo fitore nuk ishte aq e thellë sa parashikohej, Bajerni mbetet favorit për kalimin në turin tjetër.