Tekniku i Tiranës, Roberto Bordin përgëzoi ekipin pas fitores 0-3 në derbi ndaj Partizanit.
“Çunat e filluan nga pjesa e dytë e ndeshjes me Dinamon, atë kishim kërkuar dhe aty nisi gjithçka. E kanë supermerituar këtë fitore sot, sigurisht kjo fitore i dedikohet atyre, presidentit dhe tifozëve, të cilët edhe në ndeshje të këqija e kanë ndjekur skuadrën. Është normale të ketë një përqendrim maksimal gjatë gjithë ndeshjes.
Jam shumë i lumtur pasi është shumë e rëndësishme për të gjithë ne. Do ta shijojmë këtë fitore, kemi edhe disa ditë pushim për t’u rikthyer edhe më të fortë. Por nëse do jemi të lumtur vetëm me këtë ndeshje nuk do jetë mirë. Jam i lumtur për Voglin sepse është një djalë që është sjellë si burrë, duhet të vazhdojë kështu, do ketë një të ardhme të ndritur.
Janë shumë të rëndësishme sepse fitoret të japin një stimul një besim. Sigurisht jam shumë i lumtur për mbrojtjen sepse e kemi bërë thuajse perfekte. Nuk kemi marrë thuajse asnjë gjuajtje në portë. Kemi mbrojtur e gjithë skuadra me karakter. U munduam t’i përshtatemi modulit të Partizanit. Jemi mbrojtur me një 5-4-1, është normale sepse rezultati 2-0 skuadra kundërshtare do merrte risqe. Kishim momente të tjera në rinisje që mund t’i ndëshkonim.
Skuadra këtë javë ka punuar shumë mirë, ka punuar me ritmin dhe shpirtin e garës së pjesës së dytë kundër Dinamos. Por kemi thënë që jemi gati për ta fituar këtë ndeshje, dëshira ishte shumë e madhe. Kemi punuar shumë për të arritur këtë rezultat, lojtarët kanë ndryshuar mentalitetin dhe donin shumë ta fitonin këtë ndeshje”, u shpreh Bordin.