Lacio po punon për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm nën drejtimin e trajnerit të ri, Gennaro Gattuso, ndërsa drejtuesit e klubit janë në kërkim të një sulmuesi që i përshtatet kërkesave të teknikut italian.
Sipas raportimeve të mediave italiane, në listën e emrave të monitoruar nga bardhekaltrit ka përfunduar edhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja. Futbollisti 24-vjeçar duket i vendosur të nisë një aventurë të re dhe nuk e sheh të ardhmen e tij te Burnley, ndaj po shqyrton mundësitë për t’u larguar gjatë merkatos së verës.
Lacio vlerëson profilin e Brojës për karakteristikat e tij fizike dhe aftësinë për të luajtur si pikë referimi në sulm, një rol që Gattuso e konsideron thelbësor në skemat e tij. Sulmuesi shqiptar është në gjendje të mbajë topin, të krijojë hapësira për shokët e skuadrës dhe të jetë i rrezikshëm përpara portës kundërshtare.
Burime pranë klubit italian bëjnë të ditur se Burnley e vlerëson kartonin e Brojës rreth 12 milionë euro. Megjithatë, për shkak të kufizimeve financiare, Lacio mund të tentojë një formulë huazimi me të drejtë ose detyrim blerjeje, një opsion që konsiderohet më i përballueshëm për klubin kryeqytetas.
Merkatoja sapo ka nisur, por emri i Armando Brojës po qarkullon gjithnjë e më shumë në ambientin bardhekaltër, duke e bërë shqiptarin një nga objektivat e mundshëm për repartin ofensiv të Lazios.
