Fadil Vokrri – Presidenti i FFK-së: “Ne jemi të kënaqur, që po ia besojmë të drejtën e transmetimit të Superligës së Kosovës një kompanie me shumë përvojë dhe profesionalizëm”
Alban Jaho – Drejtori i “DigitAlb”-it: “Falënderoj FFK-në për një proces mjaft të mirë dhe transparent. Shpresojmë se të dyja palët do të ndahemi të kënaqur nga kjo marrëveshje”
Premtimi – “Në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të organizojmë një turne, ku do të marrin pjesë dy skuadra nga Kosova dhe dy nga Shqipëria”, zbuloi dje drejtori Alban Jaho
Kompania “DigitAlb” fiton të drejtën e transmetimit për sezonin 2012-2013
Altin Manallari
Që nga ky sezon të pasionuarit pas futbollit në Kosovë dhe në Shqipëri, do të kenë mundësinë ta ndjekin kampionatin e futbollit të Kosovës, “Raiffaisen Superliga” në platformën e njohur sportive “SuperSport”. Gjithçka do të bëhet e mundur nga kompania “DigitAlb”, e cila është shpallur dje fituese e të drejtës për të transmetuar ndeshjet e Superligës së Kosovës në futboll për sezonin 2012/2013. Me 110 mijë euro të ofruara, ‘DigitAlb’ e ka bindur Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), që t’i besojë asaj transmetimin drejtpërdrejt të ndeshjeve të elitës së futbollit kosovar në Kosovë dhe Shqipëri, përkrah edhe dueleve më të rëndësishme të kampionateve më të forta europiane në “SuperSport dhe SuperSport Kosova”. Kontrata e nënshkruar mes palëve është 1-vjeçare, me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër. “Ne, si FFK jemi të kënaqur, sepse këtë po ia besojmë një kompanie me shumë përvojë dhe profesionalizëm, e cila tashmë para adhuruesve të sportit e në veçanti të futbollit ofron të gjitha evenimentet sportive dhe ligat më prestigjioze në Europë, ka thënë dje presidenti i Federatës Kosovare, Fadil Vokrri. Vitin e kaluar oferta ishte vetëm 75 mijë euro. Ndërsa këtë vit ‘DigitAlb’ ka bërë një ofertë të shkëlqyer, 110 mijë euro. Dua të falënderoj drejtuesit e kompanisë së njohur dixhitale. Mendoj se “DigitAlb” e ka promovuar edhe më herët sportin kosovar. Tani mbarë kombi shqiptar do të njihet me futbollin tonë. Transmetimi i Superligës së Kosovës edhe jashtë territorit të Kosovës është një gjë e mirë dhe kjo mendoj se do të shtojë përgjegjësitë për futbollistët tanë, të cilët duhet ta përkthejnë këtë në më shumë spektakël e ‘Fair-Play’”. Ndërsa drejtori i “DigitAlb”, Alban Jaho, ishte i lumtur që kompania e drejtuar prej tij do ta transmetojë për herë të parë kampionatin kosovar. “Unë e falënderoj FFK-në për një proces mjaft të mirë dhe transparent. Më herët kemi treguar interes për të transmetuar në kanalet tona sportive edhe disa nga sportet e Kosovës. Shpresojmë se të dyja palët do të ndahemi të kënaqur”, ka thënë drejtori i “DigitAlb”. E për këtë, “DigitAlb” do t’i shpërblejë tifozët shqiptarë me organizimin e një turneu mes ekipeve shqiptare dhe atyre kosovare. “Ne po ashtu, në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të organizojmë një turne, ku do të marrin pjesë dy skuadra nga Kosova dhe dy nga Shqipëria”, shtoi Alban Jaho. Sezoni i ri Superligës së Kosovës fillon me 18 gusht, kur do të luhet edhe java e parë. Në të marrin pjesë 12 ekipe dhe sezoni ndahet në tri faza.