Laçi përgjunj Teutën me një poker. Kukësit i mjafton një gol në dëborë


Altin Manallari


Ndeshja ndermjet Bylis dhe Flamuretarit te VloresËshtë Bylisi surpriza e ndeshjeve të para të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Pas dy fitoreve radhazi në kampionat, skuadra e drejtuar nga trajneri Shensoji, ka ndëshkuar Flamurtarin pretendent në atë fushë të baltosur, ku u zhvillua ky ballafaqim i planifikuar për të shtunën, por i shtyrë 24 orë më pas. Ky takim i grupit B u zhvillua në një terren të rënduar, por kjo nuk i pengoi ballshiotët që t’i ndëshkonin vlonjatët në fushën e tyre. Kupa e Shqipërisë u kthye në objektivin numër një për Flamurtarin e Rubios, por edhe ky tur çerekfinal nisi si mos më keq për kuqezinjtë. Bylisi fitoi 1-0 falë golit të Klodian Arbërit në minutën e tetë. Pas këtij goli, ballshiotët janë më të qetë dhe arrijnë të administrojnë golin deri në fund të takimit. Vlonjatët këmbëngulnin, por nuk dinin të finalizonin. Flamurtari e ka nisur ters fazën çerekfinale të grupeve të Kupës së Shqipërisë. Në Laç, në grupin B, kurbinasit e mundën me shumë lehtësi Teutën, në një ndeshje ku pati thuajse gjithçka: dy penallti për vendasit (njëra e humbur), dy shtylla për durrsakët dhe katër gola, të gjithë në favor të laçianëve. Rezultati përfundimtar 4-0 ka dërguar tri pikët e para në këtë fazë të Kupës së Shqipërisë në llogarinë e skuadrës së Stavri Nicës, i cili shënonte rikthimin në stolin e Laçit në këtë ballafaqim. Për “djemtë e detit” ka pasur edhe një karton të kuq, akorduar nga kryesori Pashaj në minutën e 55-të. Në këtë mënyrë, detyrat e skuadrës së Gentian Begejës janë vështirësuar shumë, sepse e kishte mbyllur pjesën e parë në dizavantazh të dy golave. Në një mot të ftohtë, me një erë të fortë që e merrte topin me vete, duke mos iu bindur këmbëve të futbollistëve, kjo ndeshje ka nisur me grintë e dëshirë të madhe për të dyja skuadrat. Epërsia ishte e dukshme me përjashtim të gjysmës së parë të lojës, por me t’u shënuar goli i parë nga Milenkoviçi në minutën e 30, nisi të shtrohet rruga e fitores së Laçit. Vendasit shënuan golin e dytë pa u shuar ende entuziazmi i të parit, me një penallti kthyer në gol nga kroati Stipe Buljan. Pjesa e dytë ishte tërësisht nën pushtetin e sulmuesit shkodran, Valdet Nimani. Ai realizoi golin e tretë për Laçin, kur kishte kaluar pak më shumë se një orë lojë, ndërsa në sekondat shtesë, shtoi edhe të katërtin. Në Kukës, në një fushë të zbardhur e të ngrirë, skuadra vendase u përshtat më mirë, duke mundur 1-0 Kastriotin. Kjo ishte një nga tre ndeshjet e luajtura këtë të diel. Kuksianët nuk e patën aspak të vështirë dhe fati i takimit u vendos që në pjesën e parë kur Igli Allmuça shënoi golin e vetëm. Më tej, përpjekje të mundimshme, por asnjë tundje rrjete edhe sepse kushtet e terrenit nuk lejonin lojë më të mirë dhe gola më të shumtë. Në grupin A, Skënderbeu e Kukësi kanë nga 3 pikë pas ndeshjeve të para, ndërsa në Grupin B kryeson Laçi me 3 pike, po aq sa edhe Bylisi.


Kupa e Shqipërisë


Çerekfinalet


TË SHTUNËN


GRUPI A


SHKUMBINI-SKËNDERBEU 1-4


Lluca 48′ / Plaku 33′, 74′, Bici 40′, Orelesi 77′


DJE


GRUPI A


KUKËSI-KASTRIOTI 1-0


Allmuça 31′


 


GRUPI B


LAÇI-TEUTA 4-0


Milenkoviç 30′, Buljan 32′ (11-m), Nimani 64′, 90+2′


 


FLAMURTARI-BYLIS 0-1


K.Arbri 8′