Rolando Maran ka përcaktuar 23 lojtarët që do të ketë në dispozicion për ndeshjen e parë zyrtare të Shqipërisë në Ligën e Kombeve ndaj Bjellorusisë.
Trajneri italian e nisi këtë grumbullim me 29 futbollistë, por rregullorja lejon që për çdo ndeshje të përfshihen në listë vetëm 23 lojtarë. Disa prej futbollistëve të grumbulluar fillimisht janë larguar për shkak të dëmtimeve dhe nuk janë zëvendësuar, ndërsa për sfidën e sotme Maran ka bërë zgjedhjen e tij përfundimtare. Kështu, Luis Hasa, Kerjota, Simoni dhe Feta Fetai janë katër lojtarët që do ta ndjekin ndeshjen nga tribuna.
Vendimi për Fetain vjen vetëm pak ditë pasi mesfushori u bashkua me Kombëtaren si zëvendësues i Qazim Laçit, i cili u dëmtua gjatë grumbullimit. Megjithatë, përballë Bjellorusisë, Maran ka vendosur që edhe Fetai të mos jetë pjesë e 23-shes.
E njëjta situatë vlen edhe për Luis Hasën, Kerjotën dhe Simonin, të cilët mbeten jashtë listës së ndeshjes, pavarësisht se janë pjesë e grupit të lojtarëve të grumbulluar nga tekniku italian. Maran duhet të bëjë të njëjtën zgjedhje edhe për ndeshjet e tjera të kësaj faze të Ligës së Kombeve, pasi Shqipëria ka përpara katër takime në një hark të shkurtër, dy në fund të shtatorit dhe dy të tjera në fillim të tetorit.
Pra, 29 emra në grumbullim, por vetëm 23 vende në protokoll, dhe për debutimin zyrtar të Maranit në stolin kuqezi, katër prej tyre do ta shohin Shqipërinë nga tribuna.
Top Channel
