Pas tetë muajsh Ernest Muçi do rikthehet në kombëtaren shqiptare të futbollit. Trajneri Sylvinho është bindur nga forma fantastike që fantazisti po kalon këtë sezon në Turqi, duke e bërë pjesë të listës së ekipit për ndeshjet që Shqipëria luan në fazën play-off të Kupës së Botës.
Në pesë muajt e fundit me fanellën e Trabzonsporit, Muçi ia ka dalë të shënojë 13 gola në 30 ndeshje, si dhe të asistojë në katër raste, duke u bërë idhulli i tifozëve të klubit turk, ndërsa Trabzonspori është në garë për trofeun e kampionit.
Pas tetë muajsh Muçi e gjen veten më të pjekur në fushë, por edhe jashtë saj, pasi gjatë kësaj kohe ai ka ‘bërë edhe golin e jetës’, duke u bërë baba për herë të parë. Me shumë minuta në këmbë, paraqitje për t’u marrë shembull dhe gola, Muçi gjen një Kombëtare që ka nevojë për fantazi që do e dërgonin në finalet e Kupës së Botës 2026. Ka qenë klubi i Trabzonsporit që ka konfirmuar ftesën që Sylvinho ka dërguar për Muçin.
Shqipëria luan më 26 mars në Varshavë kundër Polonisë, sfidë e cila vlen për gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës 2026. Fituesi i këtij dueli do të përballet me fituesin e ndeshjes Ukrainë – Suedi, ndërsa finalja e play-off-it luhet më 31 mars (nëse kalon, Shqipëria luan sërish në udhëtim).




