Administratori i Tiranës: Është trajneri ai që vendos se kush vjen dhe kush ikën


Altin Manallari


Pas dështimit ndaj Alesund (humbja e turpshme 5-0 në kthim) për të kaluar në turin e tretë të Europa League, tashmë çështje dite te kampionët rekordmenë të Shqipërisë është ndërtimi i Tiranës 2012-2013, e cila do të duhet të rikthejë bardheblutë te titulli kampion, pas disa sezonesh agjërim. Për herë të fundit trofeun më të lakmuar të futbollit shqiptar e ka fituar në sezonin 2008-2009. Detyra që i është besuar trajnerit Rubio Sançez dhe lojtarëve të tij, nuk është e lehtë, për më tepër në këto momente, ku shumë skuadra janë forcuar ekonomikisht dhe po bëjnë blerje të bujshme. Gjithsesi kjo Tiranë nuk mund të jetë ndryshe nga ajo tradicionale: “Nga ky klub, që nga dita e parë e themelimit dhe deri më sot, titulli Kampion është objektivi i çdo sezoni”. Këtë e konfirmon edhe vetë administratori Salih Tagani, i cili më pas ka zbardhur edhe diskutimet e fundit që ka pasur me trajnerin spanjoll të 24 herë kampionëve, Hulian Rubio Sançez. “Në fakt, bëhet një mbledhje rutinë, por meqë jemi në prag të fillimit të sezonit të ri, diskutuam edhe në lidhje me skuadrën, rrëfen administratori bardheblu. Tema kryesore ishin përforcimet e domosdoshme në çdo sektor të fushës. Nuk folëm për emra konkretë, por thjesht diskutuam në parim. Në ditët e ardhshme do të individualizojmë lojtarët që na interesojnë”. Por ajo që duket interesante ka lidhje me faktin se Tirana nuk e ka nënshkruar ende rinovimin e kontratës me trajnerin spanjoll, që drejtoi skuadrën në sezonin e fundit. Sikurse është mësuar, tekniku në fundin e qershorit firmosi një marrëveshje 40-ditore me klubin, që vlente vetëm për ndeshjet në Europa League. Të shumtë kanë qenë ata, që pas eliminimit të turpshëm të bardhebluve, falë humbjes 5-0 në shtëpinë e Alesundit, ngritën zërin që klubi të mos e rinovonte kontratën me Rubion Sançezin. Por për Taganin kjo është një çështje e mbyllur: spanjolli do të jetë trajneri i Tiranës edhe për dy sezonet e ardhshme dhe firma e tij nuk është problem. “Në këto momente që flasim, kontrata dyvjeçare nuk është firmosur nga trajneri. Por ajo është e gatshme, madje e noterizuar dhe firma e tij nuk diskutohet. Kjo çështje nuk është më problem”, nënvizoi administratori i Tiranës. Po ashtu ditët e fundit është përfolur edhe për faktin se Rubio ka vendosur të rinovojë ekipin, dhe një gjë të tillë do ta fillojë që nga largimi i disa veteranëve si Sina, Dabulla, Pisha, apo edhe Duro (nën kontratë deri në 2013-n). Tagani thekson se kjo është një çështje që i përket vetëm trajnerit: “E di vetë Rubio se cilët janë lojtarët që i duhen Tiranës për të realizuar objektivat tanë dhe cilët duhet të ikin. Tekniku është i plotfuqishëm në vendimet që merr dhe ne i japim mbështetjen maksimale”, përfundoi drejtuesi më i lartë i klubit Tirana.


 


 


Administratori


“Pejiç s’na intereson, me Muzakën takohem së shpejti”


Gjatë kësaj periudhe merkatoje, Tirana ka afruar disa lojtarë të rinj në skuadër, ndërkohë që ka konfirmuar edhe thuajse gjysmën e atyre që ishin pjesë e skuadrës në sezonin e kaluar. Por megjithatë, 24 herë kampionët e Shqipërisë mbeten ende shumë aktivë në merkato. Emrat më të përfolur në qarkullim për një kalim te bardheblutë janë sulmuesi i Flamurtarit, Pero Pejiç, dhe mesfushori i kampionëve, Gjergji Muzaka. Por për kroatin duket se nuk ka vend te Tirana. “Pejiç nuk është në objektivat tanë, ka deklaruar dje administratori Salih Tagani. Por e njëjta gjë nuk vlen për Muzakën, i cili duket shumë pranë largimit. “Muzaka është një lojtar që na pëlqen. Për momentin nuk kam biseduar me të, por do ta bëj në ditët e ardhshme”, u shpreh në fund Tagani.