Partizani befasoi jo pak ditën e sotme me njoftimin për shkarkimin e trajnerit Oltijon Kërnaja, kur kanë mbetur edhe vetëm tri ndeshje nga mbyllja e sezonit. Klubi e argumentoi largimin e trajnerit nga Tropoja me argumentin se rezultatet e javëve të fundit e kanë kompromentuar garën për objektivin, që është kualifikimi në katërshen e më të mirave.
Në një prononcim ekskluziv për Top Channel, ka folur vetë Kërnaja. Ai tregon në lidhje me bisedën 5 minutëshe me presidentin Demi, që vulosi edhe largimin, pengjet, por edhe privilegjin, që edhe pse pa një karrierë të pasur, drejtoi për gati një sezon klubin e madh të Partizanit. Ai largohet me mirënjohje për klubin dhe presidentin.
Oltijon, çfarë ndodhi?
Asgjë e jashtëzakonshme, presidenti donte ta mbyllte marrëveshjen, u krye. Asgjë tjetër, me konsensus të plotë.
A ju dha ndonjë arsye presidenti, sepse në njoftim thuhet se keni kompromentuar objektivat e sezonit për shkak të rezultateve të fundit?
Ne nuk kemi patur asnjë lloj objektivi, objektivi ka qenë të kthejmë ekipin në rrugën e duhur dhe kaq. Ekipi është në rrugën e duhur, është në luftë për vendin e katërt. Nuk është kompromentuar asnjë lloj gjëje. Tre ndeshjet janë në dorën tonë. Mund të kapet edhe vendi i katërt, edhe vendi i tretë nëse fitohen 3 ndeshjet tona. Kështu që, ekipi aty është, çunat aty janë, inshallah i fitojmë.

Çfarë mendoni se e ka shtyrë presidentin te ky vendim?
Sinqerisht, takimi i sotëm ka zgjatur jashtëzakonisht shumë pak, kjo ishte ideja dhe duke qenë se presidenti më ka dhënë një ekip shumë të madh, ku askush s’besonte tek unë, duhet të pranojmë të gjitha verdiktet e tij, kështu që nuk ngelet gjë tjetër.
Ndarja domethënë ishte me konsensus?
Po po, më thirri, shtrënguam duart, miq edhe kaq.
Si e konsideroni këtë aventurë tuajën me Partizanin?
Më e bukura në botë, shumë e mirë, e morëm ekipin në një moment, ku presidenti u tregua i guximshëm të them të drejtën, ma dha ekipin në një moment kur askush nuk e merrte. Duke parë situatën, ekip i madh në vend të fundit, 4 pikë, një gol i shënuar, edhe ai autogol me Vorën dhe na besoi mua dhe stafit dhe mendoj që e kemi shpërblyer me rezultate, me punë, e kthyem ekipin në lojë. Ndoshta ndonjëherë s’do fati, do një shtyllë më shumë, por raliteti është që ne e kthyem ekipin në lojë.

Mendoni se ka ndikuar humbja në derbi te vendimi?
Jo, nuk mendoj se ka ndikuar, do të kishte ndodhur ditën e hënë, kur ne kemi pasur takim tjetër të mëparshëm. Kemi folur edhe para derbit, objektivi ka qenë tjetër para derbit. Nuk e di arsyen me thënë të drejtën, por…
Po lini të kuptoni se ky largim ishte një befasi për ju…
Sigurisht që po, sepse unë isha në takim ditën e hënë me presidentin, kam qenë para derbit, pas Bylisit kemi qenë në takim. Kemi biseduar sesi do mendojmë, si do veprojmë në rast se nuk kapet Europa. Ndërsa sot më thirri, shkova, u takuam, biseduam, arritëm në një kohë shumë të shkurtër afro 5 minuta konkluzionet, kjo është e gjitha.
Ku mendoni që do të vazhdoni karrierën, mendoni që keni arritur në atë stadin për të qëndruar në Superiore dhe për të marrë projekte të mëdha në dorë?
Shpresojmë, besoj se po, në punë kemi treguar që s’kemi asgjë mangut ndaj të tjerëve, madje ndoshta në disa gjëra mund të jemi dhe superiorë.

Po sa i përket qasjes tuaj me mediat që herë pas here keni lëshuar deklarata të bujshme që zakonisht trajnerët e tjerë nuk i bëjnë, mendoni se mund të bënit diçka më ndryshe?
Jo, unë jam tip i drejtpërdrejtë, ekipin që unë drejtoj unë e dashuroj, në atë ekip që jamë unë, për mendimit tim, është ekipi më i madh në botë. Kështu që, këto kanë qenë deklaratat e mia. Nuk kam patur asgjë me asnjeri. Unë jap maksimumin tim, çdo qelizë e imja i jepet klubit që drejtoj./ Top Channel
