Lojtari është dakord të kalojë te Lacio. Bazeli kërkon 8 milionë euro për kartonin e tij


Gashi – Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ka shënuar 18 gola në 22 ndeshje në kampionat me Bazelin


Shkelzen GashiShkëlzen Gashi, duke filluar që nga sezoni i ardhshëm, mund të veshë fanellën e Lacios në kampionatin italian të futbollit. Sulmuesi shqiptar ka shkëlqyer në dy sezonet e fundit në Zvicër, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha europiane. Një mundësi e tillë nuk mund t’i shpëtonte drejtorit sportiv shqiptar të Lacios, Igli Tares, i cili ka shtuar kontaktet me futbollistin 26-vjeçar, i cili nuk është kundër kalimit në një prej kampionateve më të forta në Eurpë.


Sipas “lalaziosiamonoi.it”, Tare po mendon të përforcojë më shumë repartin ofensiv të skuadrës së Lacios, duke u munduar të gjejë lojtarë polivalentë, që luajnë në pozicione të ndryshme. Pas shumë vëzhgimesh, ai duket se ka vendosur të përzgjedhë pikërisht bashkatdhetarin e tij, Shkëlzen Gashi. Tare e kishte piketuar 26- vjeçarin që në verë, por në atë periudhë, futbollisti i cili ishte shpallur golashënuesi më i mirë në Zvicër me Grasshoper, pranoi ofertën që i bëri Bazeli, duke firmosur deri në vitin 2018 me këtë ekip. Nëse te Grasshoper ai luante si organizator dhe sulmues i dytë, te Bazeli ai ka shkëlqyer si një mesfushor ofensiv në krahun e majtë, duke mos ulur aspak rendimentin e tij para portës. 18 golat e shënuar në këtë kampionat me fanellën e Bazelit e bëjnë atë përsëri golashënuesin më të mirë në Zvicër, duke konfirmuar se forma e tij nuk ishte një rastësi dhe se ishte i gatshëm për një ekip të madh.


Për këtë arsye, gjatë javëve të kaluara, Tare ka kontaktuar me babain e futbollistit, i cili luan edhe rolin e menaxherit. Sipas faqes së internetit, drejtuesi i Lacios ka kuptuar se futbollisti dëshiron të bëjë hapin e radhës në karrierë dhe për këtë arsye po bëhet gati të bëjë një ofertë zyrtare për Bazelin. Meqenëse Gashi ka edhe pasaportën zvicerane, ai luan pa probleme si komunitar në çdo klub europian, ndaj blerja e tij nuk do të sillte kufizimin e lojtarëve ekstra-komunitarë te Lacio.


Pengesë në këtë rast mund të bëhet vetëm çmimi i futbollistit. I blerë për 1.5 milionë euro nga Grasshoper në verë, tashmë ai vlerësohet 8 milionë euro nga klubi i Bazelit, shifër që ka tendencë të rritet nëse Gashi vazhdon të shënojë me të njëjtën vazhdimësi edhe në muajt e mbetur deri në fund të sezonit. Për këtë arsye, Tare po nxiton që të mbyllë sa më shpejt një marrëveshje të mundshme për transferimin e tij, për një shifër që nuk pritet të kalojë 6 milionë eurot.


Gashi nuk është emri i vetëm shqiptar që Tare po ndjek për sezonin e ardhshëm. Prej disa kohësh është folur për interesimin e Lacios për mbrojtësit Elseid Hysaj dhe Mërgim Mavraj. Bisedimet me Empolin për të parin kanë filluar prej më shumë se dy vitesh, ndërsa pritet që në verë të rihapen për të mundësuar transferimin e këtij futbollisti te bardhekaltërit. Më ndryshe është situata me Mavrajn, i cili i ka dhënë prioritet qëndrimit në skuadrat gjermane, edhe pse te Këlni, ekipi i tij aktual, nuk po aktivizohet me rregullsi. Gjatë merkatos së janarit u fol edhe për një transferim të mundshëm të Amir Abrashit, i cili favorizohet nga fakti se do të largohet nga Grasshoper me parametër zero në fund të sezonit.