Kombëtarja shqiptare ka arritur që falë fitores 1-0 ndaj Serbisë në Leskovac, të bëjë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për herë të parë në play-off për pjesëmarrjen në një Botëror. Mbeten ende dy ndeshje për t’u luajtur, por me situatën aktuale, ekipi e sheh veten mes skuadrave të cilat marrin pjesë në këtë fazë tjetër të turneut.
Ashtu siç parashikon rregullorja, në play-off marrin pjesë 12 skuadrat që renditen në vendet e dyta në grupet përkatëse në zonën e Europës, si dhe 4 ekipet në bazë të renditjes së Ligës së Kombeve, të cilat kanë mbetur jashtë dy vendeve të para në kualifikueset e Botërorit. Skuadrat që vijnë nga Liga e Kombeve, renditen automatikisht në vazon e katërt në short, ndërsa tre vazot e tjera marrin për bazë renditjen e FIFA-s
Sipas situatës aktuale të grupeve, pas ndeshjeve të raundit të 7 të kualifikuesve, Shqipëria e sheh veten në vazon e tretë në shortin e play-off, po ashtu si Kosova e cila mban vendin e dytë në grupin përkatës.
Në short do të krijohen katër minigrupe, ku do të ketë secili nga një sfidë gjysmëfinale Vazo 1-Vazo 4 dhe Vazo 2-Vazo 3. Skuadrat nga Vazo 1 dhe 2 do të jenë pritëse të gjysmëfinaleve që janë ndeshje teke dhe me eliminim direkt. Finalja mes fituesve në çdo minigrup, do të zhvillohet në një fushë të përcaktuar me short dhe po ashtu do të jetë me eliminim direkt në ndeshje teke.
Kjo do të thotë se në situatën aktuale, Shqipëria dhe Kosova nuk përballen me njëra-tjetrën dhe do të jenë udhëtuese në gjysmëfinale ndaj një prej këtyre katër skuadrave: Poloni, Çeki, Hungari dhe Skoci në play-off i cili luan ndeshjet e para më 26 mars 2026. Ndërsa finalet e çdo minigrupi do të luhen më 31 mars 2026 dhe do të përcaktojnë 4 skuadrat të cilat do të shkojnë në Botërorin 2026.