Pas interesimit nga Bundesliga, në garë hyjnë edhe ekipet italiane të Torinos e Lacios
3 Ndeshje – Gashi ka luajtur në tre ndeshje me kombëtaren shqiptare të futbollit, në miqësoret ndaj Armenisë e Bjellorusisë, si dhe në kualifikuesen e Botërorit 2014 ndaj Zvicrës
2 Vite – Mesfushori luan në radhët e Grasshoper që nga viti 2012, kur kjo skuadër vendosi ta transferonte nga Arau, pasi ai shënoi 17 gola me atë ekip në kategorinë e dytë zvicerane
1.2 Mln euro – Kjo është vlera që faqet e specializuara të merkatos i vënë mesfushorit shqiptar. Megjithatë, Grasshoper mendohet se do të kërkojë 4-5 milionë euro për shitjen e Gashit
Ermal Kuka
Shkëlzen Gashi është padyshim personazhi i momentit në Zvicër, ku golat e tij kanë ndihmuar skuadrën e Grasshoper të luftojë për titullin kampion në këtë sezon. Askush nuk e priste një paraqitje të tillë të mesfushorit shqiptar, por golat e njëpasnjëshëm të shënuar nga ai, kanë zgjuar interesimin e klubeve më të njohura, të cilat kërkojnë të bëjnë të tyrin lojtarin 25-vjeçar. Interesimi i Borusia Mynshengladbah, që drejtohet nga zvicerani Lucien Favre, ishte vetëm sinjali i parë, pasi duket se listës së klubeve që kërkojnë shërbimet e Gashit i janë shtuar edhe ekipet italiane. Këta të fundit monitorojnë vazhdimisht kampionatin zviceran, në kërkim të talenteve që mund të blihen me kosto të ulët, për t’i kthyer pastaj në elementë të rëndësishëm të përbërjeve të tyre apo për t’i shitur me çmime më të larta në një të ardhme. Mediat zvicerane kanë shkruar dje për interesimin konkret të ekipeve të Lacios dhe Torinos, dy skuadrave që janë në kërkim të një organizatori të mirëfilltë për sezonin e ardhshëm dhe shohin te Gashi alternativën ideale për një pozicion të tillë. Interesimi i Lacios për lojtarin ka filluar që në janar, kur u fol për një kërkesë informacioni të Igli Tares, jo vetëm për fantazistin e kombëtares shqiptare, por edhe për shokun e tij të skuadrës, Amir Abrashin. Por tashmë konkurrenca është rritur, pasi pritet që shumë shpejt edhe Torino të bëjë një ofertë për mesfushorin, duke dashur të shfrytëzojë një moment kur çmimi i lojtarit mbetet ende i ulët. Në mediat zvicerane, aludohet se ka qenë pikërisht trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani de Biazi, ai që u ka këshilluar klubeve italiane blerjen e futbollistit, edhe pse ky i fundit nuk ka rënë në sy në tre ndeshjet që është aktivizuar me kombëtaren. De Biazi e ka cilësuar shpesh Gashin si një “investim për të ardhmen”, fjalë të cilat vetëm tani po marrin kuptim, pasi sa herë që mesfushori ka veshur fanellën e kombëtares, ka dhuruar paraqitje zhgënjyese. Por nëse ai përsërit të njëjtën formë që ka shfaqur në pjesën e dytë të sezonit me Grasshoper, padyshim që do të kthehet në një titullar fiks në radhët e kuqezinjve, të cilët janë gjithashtu në kërkim të një organizatori të mirëfilltë që ka nuhatje para portës.
Sipas faqeve të specializuara të merkatos, vlera e mesfushorit shqiptar përllogaritet rreth 1.2 milionë euro, një shifër që klubet e mësipërme janë të gatshme ta paguajnë. Gjithsesi, duke parë se Gashi është kthyer në golashënuesin më të mirë të kampionatit zviceran, Grasshoper pritet të kërkojë rreth 4-5 milionë euro për shitjen e futbollistit, kontrata e të cilit përfundon në qershorin e vitit 2015. Njëkohësisht, klubi i ka vënë atij përpara ofertën e re për rinovim, duke kërkuar që të mbajë futbollistin, i cili në këtë edicion ka bërë diferencën. Objektivat e drejtuesve të klubit janë ato të kthimit të Grasshoper në një superfuqi në Zvicër, ndaj edhe qëndrimi i lojtarit në radhët e këtij ekipi nuk do të ishte për t’u përjashtuar. Në Zyrih janë të ndërgjegjshëm se një sezon tjetër si ky, do të çonte vlerën e merkatos së Gashit mbi 10 milionë euro, duke sjellë përfitime të mëdha nga shitja e tij në verën e vitit 2015, gjithmonë nëse ai rinovon kontratën me parametrat e përmirësuar financiarë me këtë klub dhe nuk zgjedh të largohet me parametër zero në vitin e ardhshëm.