Vdekja tragjike e futbollistit të AF Elbasanit, Fatjon Bunjaku, ka lënë të tronditur jo vetëm familjen dhe tifozët, por edhe shokët e tij të skuadrës, të cilët kanë reaguar me mesazhe prekëse në rrjetet sociale.

Mesfushori 22-vjeçar humbi jetën pas një aksidenti automobilistik në aksin Prishtinë–Mitrovicë, duke ndërprerë në mënyrë të parakohshme një karrierë premtuese në futboll.

Ndër të parët që reagoi ishte Isi Manellari, i cili shkroi: “U prehsh në paqe vëllai im! Allahu të mëshiroftë”.

Edhe Antonio Delaj ndau dhimbjen e tij për humbjen e shokut të skuadrës: “Pushofsh në paqe vëllai im. Zoti të mori shpejt, por ke me qenë në zemrat tona gjithmonë”.

Mesazhe ngushëllimi publikuan gjithashtu Kristi Qose, Bruno Lulaj, Emiljano Musta dhe Loukili, të cilët e kujtuan Bunjakun si një mik dhe bashkëlojtar të dashur.

“Fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar dhimbjen dhe trishtimin që na solli ky lajm. Do të jesh gjithmonë në zemrat tona”, shkroi Bruno Lulaj, ndërsa Emiljano Musta shtoi: “Do na mungosh shumë, ‘Babo’ jonë. Prehu në paqe”.

Fatjon Bunjaku iu bashkua AF Elbasanit në verën e kaluar, ndërsa më herët kishte luajtur me Malishevën, Gjilanin, Lirinë dhe Trepçën. Ai ishte gjithashtu pjesë e përfaqësueses së Kosovës U-21, ku konsiderohej një nga futbollistët me perspektivë të brezit të tij.

Ndarja e tij e parakohshme ka lënë një boshllëk të madh në futbollin shqiptar dhe kosovar, ndërsa mesazhet e ngushëllimit vijojnë të vërshojnë nga bota e sportit.