Edon Zhegrova shpërthen me dy gola te Juventusi, por gëzimi i tij errësohet nga një prej krizave më të thella në historinë e Përfaqësueses së Kosovës.
Pas më shumë se një viti pritjeje, sulmuesi kosovar u zhbllokua me fanellën bardhezi në ndeshjen ndaj Sassuolos.
I futur nga stoli në pjesën e dytë, Zhegrova realizoi një dopietë spektakolare në minutat e fundit, duke treguar të gjithë klasin e tij, edhe pse bardhezinjtë në fund u mposhtën 3 me 2. Por pavarësisht formës fantastike në Serie A, ai mbeti jashtë listës së “Dardanëve” për ndeshjet e shtatorit.
Trajneri Franco Foda vendosi ta lërë jashtë për arsye disiplinore, një vendim që ndezhi menjëherë debate të mëdha.
Situata te Kosova u përshkallëzua edhe më tej pas vendimit drastik të kapitenit Amir Rrahmani. Mbrojtësi njoftoi publikisht tërheqjen nga Kombëtarja, duke deklaruar se nuk kthehet për sa kohë që Federata drejtohet nga kupola aktuale. Rrahmani akuzoi hapur krerët e FFK-së për sulme direkte ndaj tij.
Kjo përplasje e hapur me drejtuesit dhe presidentin Agim Ademi rrezikon të sjellë një efekt domino, ku emra si Milot Rashica, Vedat Muriqi apo Arijanet Muriç përfliten nga zëra jo zyrtarë, se po ashtu për një tërheqje apo bojkot mundshëm.
Në një kohë kur talentet kosovare po shkëlqejnë në elitën e futbollit evropian, Përfaqësuesja po kalon ditët më të trazuara, ku e ardhmja e ekipit mbetet tepër e paqartë.


