Një ndeshje që duhej të përcaktonte skuadrën që do të vazhdonte rrugëtimin drejt Kupës së Mbretit në Spanjë është kthyer në një episod kaotik, me tensione, pretendime për kërcënime dhe ndërhyrjen e forcave të policisë.
Atletico Union Guimar dhe Sporting Ortaleza kishin planifikuar të përballeshin në Tasagaya, në Tenerife. Fituesi do të siguronte kalimin në raundin e parë të Copa del Rey, ku mund të gjente përballë edhe një skuadër të La Ligës.
Por topi nuk u vu asnjëherë në lojë.
Sporting Ortaleza refuzoi të dilte nga dhomat e zhveshjes, pasi drejtuesit e klubit madrilen pretenduan se siguria e skuadrës së tyre ishte cenuar.
Sipas versionit të klubit mik, pjesëtarë të delegacionit ishin përballur jashtë stadiumit me disa persona të maskuar me kapuçë. Madje, pretendohet se disa prej tyre mbanin edhe thika.
Situata u përkeqësua në minutat përpara orarit të parashikuar për nisjen e takimit.
Një shishe plastike u hodh në drejtim të një prej futbollistëve të Sporting Ortaleza-s dhe më pas situata degradoi në një përleshje.
Pas këtyre episodeve, skuadra madrilene vendosi se nuk kishte kushtet e nevojshme të sigurisë për të zhvilluar ndeshjen dhe kërkoi ndërhyrjen e policisë.
Takimi u anulua pa nisur.
Futbollistët dhe pjesëtarët e stafit të Sporting Ortaleza-s u larguan më pas nga stadiumi nën shoqërimin e forcave të policisë. Ekipi u drejtua për në aeroport për t’u larguar nga Tenerife.
Tensionet mes dy klubeve duket se kishin nisur që pas përballjes së mëparshme.
Pas ndeshjes së parë, trajneri i Atletico Union Guimar kishte shprehur pakënaqësi për mënyrën se si skuadra e tij ishte pritur, ndërsa kishte deklaruar se gjithçka duhej të vendosej në takimin e kthimit.
Por ndeshja e dytë nuk arriti të luhej.
Tashmë çështja pritet të kalojë në duart e autoriteteve të futbollit spanjoll, të cilat duhet të përcaktojnë se si do të procedohet dhe çfarë do të ndodhë me fatin e përballjes.
Mes alternativave të raportuara është mundësia që ndeshja të zhvillohet në një stadium neutral dhe pa praninë e tifozëve.
Një tjetër skenar është përcaktimi i kushteve të reja të sigurisë që do të mundësonin zhvillimin e takimit në një datë tjetër.
Deri në një vendim përfundimtar, përballja Atletico Union Guimar–Sporting Ortaleza mbetet pezull, ndërsa një sfidë që duhej të vendosej në fushën e lojës përfundoi pa u luajtur as edhe një minutë.
