Largimi i Theo Hernandez nga Milani ishte i dhimbshëm dhe i ndërlikuar, një ndarje që u konsumua gjatë një vere të trazuar. Nga Riadi, ku Milani u eliminua nga Napoli në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë, ish-mbrojtësi i kuqezinjve ka folur për herë të parë hapur për divorcin pas gjashtë sezonesh të mbushura me suksese, emocione, por edhe tensione.

Në një intervistë të gjatë për La Gazzetta dello Sport, Theo është shprehur i kënaqur me jetën e re: “Këtu jam shumë mirë, ishte zgjedhja më e mirë. E vetmja gjë negative është trafiku, i tmerrshëm”.

Francezi foli edhe për raportin me trajnerin Simone Inzaghi, i cili e ka afruar tek Al Hilal: “Më tha ‘a shkojmë të fitojmë bashkë?’. Në fushë është një njeri tjetër, jashtë saj një zotëri i vërtetë. Herë pas here bën shaka për Superkupën që ia fitova vitin e kaluar këtu në Riad”.

Theo u rikthye edhe te Milani dhe te ndjesitë për ish-shokët e skuadrës, të cilët i takoi para ndeshjes me Napolin: “Më vjen keq që humbën. I thashë ‘bravo’ Bartesaghit dhe përqafova Modricin, një gjeni i vërtetë. Pashë Allegrin, Taren dhe Ibran, por jo Furlanin”.

Deklaratat më të forta lidhen me arsyet e largimit: “Unë nuk doja kurrë të largohesha. Prioriteti im ishte të qëndroja. Por drejtimi që mori klubi dhe disa vendime nuk përputheshin me vlerat dhe ambicien që më sollën te Milani. Kur erdha ishin Maldini, Boban dhe Massara. Ibra është një ‘top’, por pas largimit të Paolos gjithçka ndryshoi për keq”.

Theo ka pranuar edhe gabimet e tij, por ka mohuar kategorikisht akuzat e rënda që kanë qarkulluar: “Kam gabuar, jam njeri. Nuk isha mirë mendërisht, por tifozët e dinë kush ishte Theo te Milani. Disa akuza më kanë lënduar shumë, por familja ime e di të vërtetën”.

Sipas tij, mënyra e trajtimit nga klubi ishte zhgënjyese: “Do të kisha merituar më shumë respekt. Kur një drejtues të thotë ‘nëse qëndron, do të të nxjerrim jashtë skuadre’, çfarë zgjedhjeje ke? Pas largimit të Maldinit u ndjeva i humbur. Përveç Ibras, mungesa e milanizmit ndihet”.

Megjithatë, lidhja emocionale me kuqezinjtë mbetet: “Nëse Milani fiton titullin, do festoj me tifozët. Rikthimi? Tani dua të fitoj këtu. Por për sa kohë që janë disa persona, nuk kthehem”./TCH