Claudia Villafañe, ish-bashkëshortja e legjendës së futbollit Diego Armando Maradona, ka ndarë kujtime të paharrueshme nga vitet që kaloi në Napoli, përpara rikthimit të saj në Itali. Në një intervistë emocionuese, ajo rikujton momentet e veçanta që e lidhin me qytetin dhe tifozët e Maradonës.
Një nga episodet më të pabesueshme që Claudia tregon është një incident në një dyqan për fëmijë: “Papritur, qindra tifozë u mblodhën jashtë dhe nisën të godasin xhamin. Njëri prej xhamave u thye dhe u detyruam të iknim me vrap. Por qeshnim, në Napoli nuk ishim kurrë vetëm”. Ajo kujton gjithashtu se tifozët e ndoqën edhe me varka në det, vetëm për ta përshëndetur Diegon.
Claudia ndan edhe emocionet e prezantimit të Maradonës në “San Paolo” më 5 korrik 1984: “Stadiumi ishte plot, njerëzit nuk ndaleshin së bërtituri. Ai doli në fushë, filloi të bëjë pallegje dhe tha: ‘Buonasera napoletani’. Ishte e pamundur të mos qaje nga gëzimi”. Për të, goli më i bukur i Diegos nuk është ai kundër Anglisë në Botëror, por goditja e dënimit ndaj Juventusit në “San Paolo”, që përshkruan perfeksionin e stilit të tij të papërsëritshëm.
Në lidhje me familjen e Maradonës, Claudia shpreh hidhërimin për mungesën e tij në jetën e nipërve: “Benjamin luan futboll si ai. Azul nuk e ka njohur kurrë, por flet për të vazhdimisht. Ishte një gjysh i mrekullueshëm. Ky është hidhërimi im më i madh”. Ajo përfundon me një mesazh emocionues: “Ai i di të gjitha. Flas me të gjithmonë. E di që më dëgjon”.
Ky rikthim i Claudias në Napoli vjen si një nderim për kujtimin e Maradonës dhe lidhjen e tij të veçantë me qytetin që e bëri legjendë.