Rriten kuotat për Gilman Likën, por rikthehet kriza e rrogave
Për sa i përket vonesës së rrogave, drejtuesit predikojnë qetësi duke premtuar se gjithçka do të shlyhet deri në fundin e muajit
Altin Manallari
Tirana tashmë e ka një “po” në parim me Herbi Fortunat, mungon vetëm zyrtarizmi. Merkaton bardheblu do ta vuloste qëndrimi përfundimtar i Gilman Likës, kuotat e rinovimit të kontratës së të cilit rriten nga dita në ditë. Por të kampionët rekordmenë të Shqipërisë rikthehet hija e krizës financiare: kalon data e rrogave, por klubi premton se do i shlyejë brenda janarit.
Fortunat – Sulmuesi haitjan, Herbi Fortunat, është vetëm një hap larg nënshkrimit me Tiranën. Një gjë e tillë është konfirmuar dje nga burime të besueshme pranë trajnerit Alban Tafaj, të cilat theksojnë se diskutimet e fundit mes palëve janë për një marrëveshje të arritur në parim. Zyrtarizmi i saj do të jetë vetëm çështje orës. Futbollisti nga ishujt Karaibe është një njohje e vjetër e kampionatit shqiptar, pasi në të kaluarën ka luajtur tre edicione të ndryshme për Besën e Kavajës. Por provat më bindëse i ka dhënë në 2006-2007, ku në 27 ndeshje realizoi 10 gola. Megjithatë, për të qenë të sigurt, drejtuesit e klubit bardheblu kërkuan që ai t’i nënshtrohej një periudhë testi disaditore, që duket se haitjani e ka kaluar me sukses.
Gilman Lika – Me nënshkrimin e Fortunat, Tirana do të bënte një lëvizje interesante, por pika kyçe e strategjisë e merkatos së 24 herë kampionëve mbetet rinovimi i kontratës me Gilman Likën. Shkodrani, i cilit është një futbollist i lirë që pas skadimit të kontratës 2-vjeçare me bardheblutë në muajin dhjetor, është kthyer në një objekt dëshirash për shumë skuadra të kampionatit shqiptar: për veç Tiranës, për të janë futur në garë edhe Skënderbeu, Vllaznia dhe Kukësi. Transferimi në një kampionat të huaj nuk është më opsion favorit për hir të ofertave që nuk kënaqin. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ato që vijnë nga Superiorja. Megjithatë, brenda kampit të Tiranës dje flitej për një rritje të kuotave të qëndrimit të Gilmanit, i cili shpesh ka theksuar se Tirana do të ishte prioriteti i tij. Aroma e një përgjigje pozitive të shkodranit thithet ku do të ambientet bardheblu.
Kriza e rrogave – Gjithsesi si Fortunat ashtu edhe Gilman Lika vazhdojnë stërvitjen me pjesën tjetër të skuadrës, e cila edhe dje ka zhvilluar dy seancat e radhës. E ndërsa pritet që të startojë mini-faza përgatitore, duket se mbi klubin bardheblu rikthehet sërish hijet e zeza të krizës financiare, e cila ende nuk ka marrë një zgjidhje përfundimtare. Më pak se një muaj zgjati buzëqeshja e futbollistëve, që në fund të dhjetorit morën të gjitha rrogat e prapambetura. Kjo sepse më datë 20 janar, pritej që shlyheshin edhe për atë të dhjetorit. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Për momentin futbollistët nuk po ankohen, pasi një vonesë e vogël mund të jetë e pranueshme, vetëm se nën zë shprehen të frikësuar për përsëritjen e mundshme të krizës së dhjetorit, ku u detyruan të protestojnë. Për sa u përket drejtuesve, mësohet se këta të fundit janë shprehur se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi brenda fundit të muajit gjithçka do të jetë likuiduar.
Sulmuesi – Tirana pritet të zyrtarizojë marrëveshjen e arritur në parim me Herbi Fortunat, i cili i ka lënë një përshtypje të mirë trajnerit Tafaj në testin e deritanishëm