Bardheblutë mundin Apoloninë. Të kuqve nuk u mjafton Raçiç. Kukësi gjunjëzon Vllazninë
ERION ABULE
Java e parë e Kategorisë Superiore (kampionati i 76 kombëtar), është mbyllur pa shumë surpriza sa u takon skuadrave pretendente, me përjashtim të Kukësit, i cili ka thyer në Shkodër, Vllazninë. Tirana ka debutuar me fitore në këtë sezon, duke mundur 3-0 Apoloninë në “Qemal Stafa”. Ndërsa Partizani ka qenë pranë fitores në Laç, teksa është barazuar nga vendasit në një ndeshje ku nuk munguan rastet për gol. Ditën e premte, Skënderbeu triumfoi minimalisht ndaj Elbasanit, i rikthyer në elitë pas katër vitesh, ndërsa Flamurtari fitoi 2-1 derbin e bregdetarëve ndaj durrsakëve të Hasan Likës.
Pas vështirësive të sezonit të kaluar, Tirana e ka nisur këtë kampionat me një sukses të rëndësishëm. Interesimi i tifozëve bardheblu ishte i madh dhe përballë Apolonisë, skuadra e Maganit nuk e vuri asnjëherë ndeshjen në rrezik. Golat e Bakajt, Ndikumanës dhe Hyshmerit, kanë ardhur si rezultat i një loje bindëse dhe të qartë nga ana e të gjithë skuadrës, me përjashtim të sulmuesit kroat Bushiç, i cili humbi disa raste për gol. Sa i takon Apolonisë, rikthimi në Kategorinë Superiore me një humbje ka qenë i pashmangshëm, pasi përballë Tiranës, veç dy rasteve të Cankës, nuk ka mundur të bëjë më shumë. Për t’u theksuar është edhe rikthimi te goli i Elis Bakajt pas aventurës në Ukrainë. Një debutim me gol me një nga skuadrat pretendente për titull, është i rëndësishëm. Ndeshjen më të vështirë në këtë javë të parë të kampionatit e kishte Partizani. Lufta e fortë sportive, sulmet dhe kundërsulmet, sa në njërën portë, aq edhe në tjetrën, kanë shoqëruar 90 minutat e mbyllura në barazim 1-1 në Laç. Raçiç kaloi të kuqtë në epërsi në minutën e 47, mirëpo nuk kanë hezituar të reagojnë vendasit. Skuadra e Cungut ka barazuar me Dokun, duke u mohuar “demave” trepikëshin “e sigurt” deri në ato momente. Partizani luajti një pjesë të parë të mirë, duke arritur t’i vërë në vështirësi kurbinasit. Aktivizimi i 19-vjeçarit Vatnikaj përkrah Raçiç, nuk ka qenë efikas, ndaj Duro ka bërë lëvizje të menjëhershme me fillimin e pjesës së dytë. Raçiç zhbllokon rezultatin, por Doku në minutën e 55 barazon shifrat. Përpjekjet e kryeqytetasve kanë qenë të shumta për të dyfishuar, por pa rezultat. Duro dhe Cungu shtrëngojnë duart pas ndeshjes, në barazimin e vetëm të kësaj jave të parë. Ashtu siç ndodh thuajse gjithnjë në “Loro Boriçi” është luajtur një ndeshje emocionuese mes Vllaznisë dhe Kukësit. Miqtë zhbllokojnë rezultatin në minutën e 35 me anë të Pejiçit. Falë mbështetjes së zjarrtë të tifozëve, shkodranët arrijnë të barazojnë me Dibrën në fund të pjesës së parë, por në pjesën e dytë ndëshkohen sërish nga verilindorët. Hysa kalon Kukësin në epërsi në minutën e 58, duke i dhënë siguri në lojë skuadrës së Artim Shaqirit. Vllaznia e shumë problemeve dhe me presidencë të re, ka shfaqur dëshirë e sedër, por përballë një kundërshtari si Kukësi, i përbërë nga lojtarë me emër e shumë cilësi, është dorëzuar. Ardhja e përforcimeve të fundit, me dy lojtarët uruguaianë që pritet të debutojnë së shpejti, ndoshta mund të sjellë ndryshime. Megjithatë është vetëm java e parë dhe Vllaznia nuk mund të qëndrojë në vendnumëro pas një humbjeje të tillë.
Elis Bakaj
“Është një gjë e bukur që rikthehem në fushë, pastaj te goli. Kisha nëntë muaj që nuk luaja, jo për shkakun tim, por për arsye të disa problemeve që mund t’i ndodhin kujtdo. Nuk mendoj se jam përshtatur akoma me Tiranën, më duhet akoma kohë. Rëndësi ka që të fitoj me këtë klub.”
Shpëtim Duro
“Pjesën e parë e mbizotëruam, duke mos i lejuar hapësira kundërshtarit, ku kishim edhe një rast të dyshimtë për 11-metërsh. Gabimi individual në mbrojtje, solli golin e tyre të barazimit. Me 2-3 situata, mund të shënonim golin e dytë. Jam i mërzitur që humbëm dy pikë, sepse ishim më lart se skuadra e Laçit.”
Kategoria Superiore
Java 1
Dje
VLLAZNIA – KUKËSI 1-2
Dibra 43′ / Pejiç 35′, Hysa 58′
LAÇI – PARTIZANI 1-1
Doku 55′ / Raçiç 47′
TIRANA – APOLONIA 3-0
Bakaj 24′, Ndikumana 58′, Hyshmeri 90+1′
Të shtunën
FLAMURTARI – TEUTA 2-1
Abilaliaj 3′, Gilberto 30′ / Shabani 51′
ELBASANI – SKËNDERBEU 0-1
F.Sefa 9′