Halili: Duam një sulmues të kualifikuar. Shifrën e tij ta vendosin vetë menaxherët
Ronald Gerçaliu – “Për mua ka qenë prioritet që gjatë karrierës sime, unë të luaja një herë për Tiranën. Karrierën dua ta mbyll pikërisht në vendin tim”
Dritan Smajli – “Kukësi? Të them të drejtën u bë si shkollë nate. Është kapitull i mbyllur. Erdha në një klub kaq të madh për të fituar trofe”
Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Tirana ka hapur zyrtarisht merkaton e përforcimeve për sezonin e ardhshëm. Dje, bardhebluve u janë bashkuar mbrojtësit Ronald Gërçaliu dhe Dritan Smajli, të cilët kanë hedhur firmat në kontratë, ndërsa në ditët në vazhdim priten prurje të tjera, kryesisht nga jashtë Shqipërisë. Presidenti i bardhebluve, Refik Halili, në konferencën e prezantimit të dy blerjeve të reja të skuadrës, nuk ka ngurruar që të ftojë menaxherët që të bënin sugjerimet e tyre për lojtarë, sidomos për sa i përket repartit ofensiv, ku bardheblutë janë në kërkim të një golashënuesi të mirëfilltë. Halili ka sqaruar edhe bisedat me futbollistët e ekipit kryeqytetas, të cilët u janë bashkuar ekipeve të tjera vetëm për Kupat e Europës.
“Ashtu sikundër premtuam, sot po bëjmë prezantimet e para. E pata deklaruar prej kohësh që Ronald Gërçaliu do të vinte te Tirana dhe jam shumë i lumtur që ai na bashkohet. Ka një kontratë dyvjeçare, ndaj i uroj sukses dhe të bëjë më të mirën për këtë klub. I dyti është Dritan Smajli, lojtar me të cilin kemi arritur një marrëveshje. Të dy janë lojtarë shumë të mirë dhe kam besim tek ata. Këta do të jenë të parët, pasi në vazhdim priten edhe të tjerë. Na mbetet për të gjetur vetëm një ose dy futbollistë maksimumi”, tha Halili, i bindur se pjesa më e madhe e lojtarëve që mbyllën edicionin me këtë skuadër, do të rinovojnë kontratat e tyre në ditët në vazhdim.
Problemi kryesor për bardheblutë është sulmi, ku golashënuesi më i mirë i ekipit në edicionin e kaluar, Elis Bakaj, i ka dhënë lamtumirën skuadrës duke udhëtuar drejt Izraelit. “Po, na duhet një sulmues. U bëj thirrje menaxherëve që të na ofrojnë lojtarë për këtë rol, por e duam të kualifikuar. Shifrën le ta vendosin vetë, por e duam cilësor”, ishin fjalët e Halilit, i cili është i vendosur që brenda pak ditësh të zgjidhë çështjet e afrimeve, për t’i vënë në dispozicion Shkëlqim Muçës një ekip me të cilin të luftohet për trofe. “Nga eksperienca e them me bindje se merkatoja bëhet për pesë minuta. Sot nuk ka para, por futbollistë ka me bollëk. Të hënën ose maksimumi deri të mërkurën, ju garantoj se 95% e ekipit do të jetë në fushë. Ky kapitull do të mbyllet shpejt”, theksoi ai.
Duke u ndalur në emrat e përveçëm, Halili shpjegoi situatën e disa elementëve, të cilët pritet të jenë pjesë e bardhebluve në këtë edicion. “Kemi negociuar me Gilman Likën. Por ai ka një ‘kontratë morale’ me Vllazninë, ndaj deri në fund të muajit nuk vendos dot. Ndërsa Teqja është lojtar i Tiranës, pasi është nën kontratë. Në ditët në vazhdim do e prezantojmë, kur të kemi marrë fanellat e reja. Për sa i përket Gentjan Muçës, ai është yni, nuk ka vend për diskutime, paçka se aktualisht do të japë kontributin e tij te Kukësi për Europën. Ai është tifoz i Tiranës, madje edhe pa pagesë ta lësh, Muça zgjedh gjithnjë këtë fanelle. Megjithatë, atë pagesë që ia jep klubi ynë, nuk e gjen asgjëkund, ndaj them që është yni. Sa i përket Currit, ka pasur biseda. Zhvillime konkrete do të ketë nga ora në orë. Ne portën e kemi të hapur”, ishin fjalët e numrit një të ekipit bardheblu.
Sipas tij, një etapë e rëndësishme është edhe ana se si klubi do të përpiqet të sigurojë më shumë të ardhura në sezonin e ri, nëpërmjet reklamave në stadium apo aplikimit të abonimeve sezonale, siç ndodh në kampionatet e tjera europiane. Nuk ka munguar edhe një apel direkt ndaj kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që të trajtonte me seriozitet çështjen e aksioneve të ndara mes palëve. “Ne do të punojmë në marketing në këtë sezon, të shohim çfarë reklamash do të thithim, si do ta ndërtojmë stadiumin. Kjo është puna më e rëndësishme. Dëshira ime është që të kemi abonime, pasi do të jetë në të mirën e klubit, por kjo do të vendoset, pasi të konsultohemi edhe me kryesinë e tifozëve, pasi duhet të përcaktojmë çmime të arsyeshme. Në bazë të statutit të klubit, ne jemi dy aksionerë: unë dhe bashkia. Për këtë vit, sikundër e kam deklaruar, investimi i bashkisë ishte vetëm 370 mijë lekë. Shpresoj që kryetari i ri i bashkisë të ketë të qartë se ne jemi partnerë dhe bashkëpronarë në këtë klub. Në bazë të rregullave, kur një aksioner nuk jep detyrimet e veta, zbritet përqindja e aksioneve dhe i merr ai që paguan”, ishte paralajmërimi i Halilit.