Flamurtari shokohet në shtëpi dhe komplikon shanset për kualifikim


Tirana – Tirana fiton 2-0 ndaj modestëve luksemburgas të Grevenmakerit, falë golave të Muçollarit e Ferrajt dhe sheh pranë kualifikimin për më tej


Teuta – Humbje shokuese ajo e Teutës, 0-3, në shtëpi, ndaj gjeorgjianëve të Metalurg Rustavit. Eliminimi është thuajse i sigurt, por firma pritet në ndeshjen e kthimit


Flamurtari – Honvedi befason Flamurtarin me një fitore 0-1 në shtëpinë e skuadrës së Muçës në Vlorë, duke ndërlikuar objektivin e kuqezinjve, që synojnë përmbysjen në transfertë


Altin Manallari


Tirana e Hulian Rubios ka hedhur një hap të madh drejt kualifikimit për në turin tjetër të Europa League pas fitores së mbrëmjes së djeshme 2-0, ndaj modestëve nga Luksemburgu, Grevenmakerin në ndeshjen e parë të Europa League, e zhvilluar në “Qemal Stafa”. Që në minutat e para të këtij takimi u vërejtën diferencat mes dy ekipeve, ku miqtë ishin pozicionuar me forca të shumta në mbrojtje. Tirana kontrollon topin, aplikon daljet e shpejta nga të dyja krahët, duke e detyruar kundërshtarin të “gozhdohet” i tëri në gjysmëfushën e vet. Gilman Lika shfaqet i papërmbajtshëm me depërtimet e tij nga e majta e sulmit të Tiranës, jep krosime për te sulmuesi Bala, por ky i fundit e ka të vështirë të superojë një mbrojtje me 7-8 lojtarë të miqve, që sikur kanë “parkuar autobusin” para portës së vet. Miqtë duken të pafuqishëm për të vënë në vështirësi portierin Lika. Ndërsa bardheblutë provojnë edhe me disa gjuajtje nga distanca të Gilman Likës. Por, për të shkuar te goli, duhet të presim minutën e 40-të, kur Elton Muçollari, me anë të një gjuajtjeje tokazi, nga e djathta e sulmit kryeqytetas, e dërgon topin në rrjetën e luksemburgasve. Entuziazmi në “Qemal Stafa” është i madh, dhe pas një kombinimi Ahmataj-Ferraj, ky i fundit shënoi golin e dytë për skuadrën, në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, 2-0. Në pjesën e dytë Rubio zbret të njëjtën 11-she. Tirana kontrollon topin në mesfushën e kundërshtarit modest. Rastet e bardhebluve për ta kthyer këtë ndeshje në goleadë nuk munguan, por Tirana nuk arriti të konkludojë, ndërkohë që Grevenmakeri u zgjua në minutat e fundit, por pa rrezikuar seriozisht portën e Ilion Likës. Një 2-0, që e sheh Tiranën më në avantazh në ndeshjen e kthimit një javë më pas. Ndërkohë nuk ka shkuar aspak mirë për Flamurtarin dhe për Teutën. Vlonjatët janë mundur me rezultatin e ngushtë 1-0 në shtëpi nga Honvedi hungarez. Trajneri Shkëlqim Muça kishte zbritur në fushë 11-shen më të mirë të tij për të arritur kualifikimin, që do t’i dhuronte në turin e dytë ëndrrën ruse Anzhi të Eto’o&Hidink, por tashmë gjithçka duket se është vështirësuar për kuqezinjtë, të cilët në pjesën e parë nuk arritën të zhbllokonin rezultatin me rastet që patën në dispozicion. Pas vetëm një minutë lojë nga pjesa e dytë, miqtë hungarezë gjetën golin e avantazhit me Vernes. Flamurtari u përpoq shumë në kërkim të golit të barazimit, por Memellit me shokë u mungoi qartësia. Humbja 1-0 e ndërlikon objektivin e Flamurtarit, megjithatë do të duhet të presim edhe përfundimin e ndeshjes së kthimit. Në anën tjetër, Teuta është mundur 0-3 në Durrës nga Metalurg Rustavi, duke e bërë thuajse të pamundur kualifikimin në turin tjetër. Pas më shumë se 75 minutash luftarake, djemtë e detit janë treguar diletantë, duke pësuar tre gola në çerek ore Tatanashvilli (77’), Getsadze (84’) dhe Kvaratskhelia (90’+2’, penallti). Kjo humbje nuk lë shumë shpresa për ndeshjen e kthimit pas një jave, por duket se do të jetë më shumë thjesht një formalitet për të firmosur eliminimin e skuadrës së Hasan Likës.