Tagani-Tafaji, sot kokë më kokë për merkaton dhe problemet e tjera te bardheblutë


Altin Manallari


Duket se ka mjaftuar vetëm faza e parë, që ky të quhet një sezon i dështuar për 24-herë kampionen e vendit, Tiranën. Bardheblutë janë eliminuar nga Kupa e Shqipërisë dhe duket jashtë luftës për titullin kampion, pasi renditen të tretët me -11 pikë nga Skënderbeu, i cili po shkon i sigurt drejt trofeut të tretë radhazi. Megjithatë, për sa kohë që matematika nuk e ka thënë fjalën e fundit, te bardheblutë askush nuk dëshiron të dorëzohet dhe në gjysmën e dytë të sezonit, kampionët rekordmenë shpresojnë të bëjnë rikthimin e madh. Ky do të jetë edhe qëllimi thelbësor i takimit të sotëm mes administratorit Salih Tagani dhe trajnerit Alban Tafaj. Në fakt, për momentin, problemet te Tirana nuk janë të pakta. Duke filluar që nga çështja e vonesave me rrogat, e cila ka lënë të pakënaqur skuadrën. Burime të besueshme pranë klubit bëjnë të ditur se drejtuesit u kanë premtuar futbollistëve të tyre se brenda kësaj jave do t’u likuidohet rroga e muajit tetor. Ndërkohë që tekniku Tafaj u ka komunikuar lojtarëve lajmin se ekziston mundësia që brenda këtij muaji, klubi të shlyejë detyrimet financiare ndaj skuadrës për nëntorin dhe dhjetorin, duke e paguar këtë të fundit si paradhënie për festat e fundvitit. Lojtarët qëndrojnë me shpresë se do të zgjidhet gjithçka. Ndërsa shumë çështje të tjera shqetësojnë klubin bardheblu. Rikthimi në vendin e tretë në klasifikim falë një fitoreje të vështirë ndaj Laçit në “Qemal Stafa”, nuk e ka larguar ende shijen e krizës së rezultateve që ka demonstruar skuadra gjatë fazës së parë. Prandaj Tagani dhe Tafaj sot do të ulen të diskutojnë edhe për idetë e ndërtimit të ekipit, që do të duhet të përballojë gjysmën e dytë të sezonit. Nevoja për ndërhyrje në merkato është emergjente. Burime të besueshme pranë klubit kanë zbuluar se Tirana do të bëjë minimalisht 2-3 blerje gjatë periudhës së transferimeve në muajin janar. Emrat e përfolur janë dy kosovarët e talentuar Mentor Mazrekaj e Enis Gavazaj, por edhe Andi Ribaj. Ndërkohë që disa kontrata do të duhet të rishikohen. Pranë largimit përfliten të jenë Miodrag Zec, Francesko Pigoni, Fabio Hoxha, Arbër Abilaliaj dhe Gilman Lika. Katër të parët konsiderohen si blerjet e dështuara të verës, ndërsa Gilman Lika me shumë gjasa do të largohet me dëshirën e tij në drejtim të një klubi tjetër jashtë vendit, nga ku ka marrë disa oferta. Edhe pse bardheblutë janë të eliminuar nga Kupa, trajneri Tafaj nuk e ka ndërprerë stërvitjen, e cila do të vazhdojë deri më 24 dhjetor. Gjatë këtyre ditëve të muajit dhjetor, drejtuesit kanë parashikuar tri ndeshje miqësore. Më pas, më 4 janar, bardheblutë do të nisin një minifazë përgatitore.


Rrogat – Futbollistëve u është premtuar se brenda javës do të marrin paratë e tetorit, ndërsa pa mbaruar muaji, do të likuidohen edhe rrogat e nëntorit dhe dhjetorit


Blerjet – Ribaj dhe kosovarët Mazrekaj e Gavazaj, janë emrat e përfolur për merkaton e Tiranës në janar, por nuk do të hiqet dorë edhe nga pistat e tjera jashtë Shqipërisë


Largimet – Klubi ka ndërmend të rishikojë kontratat e Miodrag Zec, Françesko Pigoni, Fabio Hoxha, Arbër Abilaliaj, të cilët pritet të largohen bashkë me Gilman Likën


Programi – Edhe pse bardheblutë janë të eliminuar nga Kupa, trajneri Tafaj nuk e ka ndërprerë stërvitjen, e cila do të vazhdojë deri më 24 dhjetor. Gjatë këtyre ditëve të muajit dhjetor, drejtuesit kanë parashikuar tri ndeshje miqësore. Më pas, më 4 janar, bardheblutë do të nisin një minifazë përgatitore