Momente frike për futbollistin italian Armando Izzo, i cili ka rënë pre e një grabitjeje të armatosur në qendër të Terracina.

Sipas mediave italiane, mbrojtësi i skuadrës Avellino është përballur me dy persona të armatosur, të cilët i kanë bllokuar rrugën dhe e kanë kërcënuar me armë për t’i marrë orën luksoze që mbante në dorë.

Ngjarja ka ndodhur në mbrëmje, ndërsa autorët, pasi morën sendin me vlerë, janë larguar me shpejtësi në këmbë nëpër rrugët e qytetit. Futbollisti ka mbetur i tronditur nga incidenti, por fatmirësisht nuk ka pësuar dëmtime fizike.

Menjëherë pas grabitjes, në zonë kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e mbledhura në vendngjarje për të zbardhur plotësisht episodin.

Kjo ngjarje vjen në një periudhë të rëndësishme për karrierën e Izzos, i cili këtë vit u rikthye te Avellino pas eksperiencës me Monza. Mbrojtësi ka firmosur një kontratë afatgjatë me klubin deri në verën e vitit 2029, duke rikthyer kështu lidhjen me ekipin ku kishte luajtur edhe më parë.

Jeta private e futbollistit ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e mediave rozë italiane, për shkak të lidhjes së tij me modelen dhe showgirl-in Raffaella Fico.

Pavarësisht traumës së përjetuar, raportimet bëjnë me dije se Izzo është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po bashkëpunon me autoritetet për identifikimin e grabitësve.