Ylli i kombëtares së Spanjës, Lamine Yamal, ka përjetuar momente tensioni jashtë fushës së blertë, pasi persona të paidentifikuar tentuan të futeshin në vilën e tij në periferi të Barcelonës.

Sipas mediave spanjolle, ngjarja ndodhi vetëm pak orë pasi sulmuesi kontribuoi në fitoren 2-0 të Spanjës ndaj Francës, rezultat që i siguroi kombëtares kualifikimin në finalen e Kupës së Botës.

Dy persona me kapuç u filmuan nga kamerat e sigurisë teksa ngjiteshin mbi murin rrethues të pronës. Sapo kuptuan se ishin pikasur dhe se sistemi i sigurisë ishte aktivizuar, ata u larguan me shpejtësi nga vendngjarja, pa arritur të hynin në banesë.

Pas alarmit, në vendngjarje mbërriti policia katalanase, e cila ka nisur hetimet për tentativë grabitjeje. Njësia e Hetimeve Kriminale po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët.

Sipas raportimeve, vila luksoze, e vlerësuar rreth 9.5 milionë paund, ka qenë më parë në pronësi të ish-futbollistit të Barcelonës, Gerard Piqué, dhe këngëtares kolumbiane Shakira.

Ky nuk është rasti i parë që futbollistët e Barcelonës bien pre e grabitësve. Në muajin shkurt, mbrojtësi Pau Cubarsí u grabit nga një orë luksoze, ndërsa pak ditë më vonë hajdutët vodhën para dhe bizhuteri nga banesa e portierit Joan García.

Pavarësisht incidentit, Yamal mbetet i fokusuar te finalja e Kupës së Botës, ku synon të udhëheqë Spanjën drejt fitimit të trofeut.