Një ngjarje e pazakontë ka tronditur futbollin nigerian, pasi mbrojtësi Chinedu Ozor u shpall i vdekur pas një kolapsi gjatë një ndeshjeje miqësore, ndërsa më vonë u zbulua se kishte shfaqur shenja jete në morg.
Ozor, i cili ishte transferuar së fundmi te Katsina United, u rrëzua në minutat e para të ndeshjes përgatitore ndaj Niger Tornadoes. Futbollisti u transportua me urgjencë në spital, ku mjekët e deklaruan të vdekur.
Pas deklarimit të vdekjes, trupi i tij u dërgua në morg. Por, sipas raportimeve, stafi vuri re se Ozor kishte lëvizur dorën. Zbulimi shkaktoi reagim të menjëhershëm dhe futbollisti u dërgua sërish në spital, këtë herë në Katsina General Hospital.
Ozor ndodhet aktualisht në terapi intensive, ku po merr oksigjen dhe po trajtohet nga mjekët, të cilët po përpiqen të stabilizojnë gjendjen e tij.
Katsina United kishte njoftuar fillimisht për vdekjen e futbollistit, duke shprehur dhimbjen për humbjen e lojtarit të sapoardhur. Pas konstatimit të shenjave të jetës, klubi korrigjoi njoftimin dhe bëri me dije se Ozor ishte rikthyer në spital për trajtim.
Lajmi fillestar kishte shkaktuar reagime të shumta në futbollin nigerian. Ish-klubet e tij, përfshirë Heartland dhe Kano Pillars, si edhe Nigeria Premier Football League dhe drejtues të klubeve të tjera, kishin shprehur ngushëllimet e tyre.
Ozor iu bashkua Katsina United në fillim të këtij muaji dhe po përgatitej për sezonin e ri. Tashmë, vëmendja është përqendruar te gjendja e tij shëndetësore dhe përpjekjet e stafit mjekësor për ta mbajtur në jetë.
