Iniesta, Kasijas, Pirlo u shtohen pretendentëve kryesorë


Përfundimi i Europianit 2012, tashmë ka ndezur luftën për fitimin e “Topit të Artë”, çmimit më prestigjioz individual në botë për futbollistët. Iker Kasijas, Andres Iniesta dhe Andrea Pirlo. Sipas së përditshmes spanjolle, “AS”, do të jenë këta futbollistë finalistët e “Topit të Artë 2012”, por që duket se ka harruar të përfshijë dy përbindëshat e futbollit modern, Lionel Mesin dhe Kristiano Ronaldon, që në këtë vit futbollistik (2012) kanë mahnitur të gjithë botën me spektaklin dhe rendimentin e dhënë. Ajo që duhet pranuar, në nivelin personal, Lionel Mesi duket vërtet sikur vjen nga një tjetër planet. Ka fituar deri tani tre “Topa të Artë” dhe është kandidati më potencial për të fituar edhe trofeun e katërt, edhe pse në këtë sezon nuk ka fituar asnjë trofe të madh. Po ashtu edhe Ronaldo, i cili, pas fitimit të La Liga-s dhe dështimit në Champions League, mund të kishte mbyllur të gjitha llogaritë nëse Portugalia e tij do të kishte fituar Europianin. Gjithsesi, është aty në listën e pretendetëve. Megjithatë e përditshmja madrilene ka përpiluar një klasifikim të sajin, duke marrë në konsideratë kriteret e përzgjedhjes nga gazetarët, por edhe trajnerët dhe kapitenët e ekipeve përfaqësuese nga e gjithë bota që kanë të drejtë vote. “Kasijas, deri më sot i injoruar në mënyrë të padrejtë, shkruante gazeta, me pritjet e tij, jo vetëm që është tërheqësi i ‘Furisë së Kuqe’ drejt titullit të tretë në katër vjet, por gjatë këtij sezoni ka fituar edhe titullin kampion në La Liga me Realin e Madridit”. Ndërkohë, sipas “AS”, “Iniesta është simboli i Spanjës dhe tashmë ka shansin të marrë atë që Lionel Mesi i mori në vitin 2010, kur ‘Don Andresit’ nuk i mjaftoi goli në finalen e Kupës së Botës”. Në fund vjen organizatori italian, që deri më tani është cilësuar lojtari më i mirë i aktivitetit në Poloni dhe Ukrainë dhe ka qenë vendimtar në ecurinë e “axurrëve”. “AS” nënvijëzonte se sipas traditës, në vitet kur luhen Europiani apo Kupa e Botës, “Topi i Artë” fitohet nga futbollistët protagonistë në turnetë ndërkombëtarë. Megjithatë, duke shqyrtuar listën e fituesve të çmimit nga “France Football”, e që tashmë përcaktohet edhe nga FIFA, protagonisti i fundit i Kampionatit Europian, që fitoi trofeun është gjermani Matias Samer, më 1996. Në vitin 2000, kur Franca u shpall kampione, Zidan u rendit vetëm i dyti pas Luis Figos, në 2004-n Greqia i befasoi të gjithë, megjithatë mes tre finalistëve ishin Shevçenko, Deko e Ronaldinjo. Në fund, në 2008-n, Spanja ishte kampione Europe, por “Topin e Artë” e mori Kristiano Ronaldo. Rezultati në finalen e Euro 2012 pritet të jetë përcaktues. Gazeta “AS” shkruan me bindje se nëse Spanja do të triumfojë në Kiev, Iniesta është favorit për çmimin prestigjioz, duke qenë se është e vështirë që ai trofe të fitohet nga portieri Kasijas. Në fakt, në histori vetëm “gardiani” Jashin arriti të mposhtte konkurrentët në vitin 1963. Mes finalistëve të djeshëm, që mund të përfaqësohen në listën e fituesve të “Topit të Artë” janë edhe Mario Baloteli, Xhanluixhi Bufon edhe Ksabi Alonso.


 


Pretendentët


Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo janë dy përbindëshat e futbollit të momentit, që përkufizohen si kandidatët kryesorë për të fituar “Topin e Artë 2012”. Por falë paraqitjes së Europianit Iniesta, Kasijas dhe Pirlo synojnë t’i konkurrojnë denjësisht për këtë çmim dy “monstrat” e mësipërme, që nuk kanë në disfavor mungesën e një trofeu të madh