Ish-luftëtari i njohur brazilian i artetve marciale mikse, Geronimo Dos Santos, ka ndërruar jetë në moshën 45-vjeçare, pas një ngjarjeje tragjike në Brazil. Sipas raporteve të mediave braziliane, përfshirë Globo, Dos Santos kishte humbur gjurmët të shtunën gjatë një udhëtimi në Amazonë, ku po udhëtonte me partneren e tij. Ai kishte hyrë në lumin Negro për t’u larë, por nuk u kthye më, duke dyshuar se ishte tërhequr nga rrymat e forta të lumit.
Pas disa orësh kërkimesh, trupi i tij u gjet i bllokuar nën shkëmbinj në fund të lumit dhe u nxor nga uji të hënën. Autoritetet e Sao Gabriel da Cachoeira konfirmuan vdekjen e tij pak më vonë. Në një deklaratë zyrtare, ata shprehen: “Në këtë moment dhimbjeje, shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjen dhe miqtë. Zoti u dhëntë forcë dhe ngushëllim për të përballuar këtë humbje të madhe.”
Geronimo Dos Santos, i njohur me nofkën “Mongdragon”, ka pasur një karrierë të shkëlqyer në MMA, duke garuar në organizata ndërkombëtare si Mr Cage, RIZIN, ACA, Fight Nights Global dhe së fundmi BKFC. Ai kishte firmosur me UFC-në në vitin 2012, por nuk e pati mundësinë të debutonte për shkak të tërheqjes nga një përballje e planifikuar ndaj Gabriel Gonzaga dhe më pas u largua nga organizata.
Dos Santos e mbylli karrierën me një rekord të jashtëzakonshëm prej 45 fitoresh, 26 humbjesh dhe një barazimi. Ndeshja e tij e fundit në BKFC ishte në prill, kur ai nokautoi shpejt ish-sfidantin e peshës së rëndë në UFC, Aleksei Oleinik, brenda 109 sekondave. Ai kishte një ndeshje të planifikuar me Andrei Arlovskin në qershor, por u tërhoq për arsye të paspecifikuara.
Vdekja e Dos Santos ka tronditur botën e sporteve luftarake dhe ka lënë një trashëgimi të fuqishme në historinë e MMA-së ndërkombëtare.
