Motoçiklizmi ndërkombëtar ka humbur një prej sportistëve të tij më të talentuar. Garuesi holandez Romano Hummel është ndarë nga jeta në moshën 27-vjeçare, duke shkaktuar tronditje në komunitetin sportiv.
Sipas mediave holandeze, dyshohet se sportisti i ka dhënë fund jetës. Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit (FIM) konfirmoi ndarjen e tij nga jeta dhe përcolli një mesazh ngushëllimi, duke vlerësuar kontributin e Hummel në këtë sport.
Pavarësisht moshës së re, holandezi kishte ndërtuar një karrierë të pasur me trofe në disiplinat Long Track dhe Grass Track, ku konsiderohej një prej konkurrentëve më të fortë në arenën ndërkombëtare.
Rrugëtimi i tij drejt suksesit nisi që në adoleshencë. Në vitin 2011, Hummel fitoi një trofe ndërkombëtar në kategorinë 125cc, ndërsa në vitin 2013 u shpall fitues i Kupës së Botës për të Rinj në kategorinë 250cc.
Një tjetër moment i rëndësishëm erdhi në vitin 2016, kur ndihmoi Holandën të fitonte titullin në Long Track of Nations. Pesë vite më vonë, në vitin 2021, arriti suksesin më të madh individual, duke u shpallur kampion bote në Long Track.
Hummel dominoi gjithashtu garat europiane në pistën me bar, duke u kurorëzuar kampion kontinental në vitet 2022, 2023 dhe 2026.
Vetëm pak javë përpara ndarjes nga jeta, më 29 gusht, ai kishte dhuruar një paraqitje të jashtëzakonshme në Aduard të Holandës, ku fitoi të gjitha garat dhe siguroi titullin e tretë europian përpara publikut vendas.
Në karrierën e tij, 27-vjeçari regjistroi edhe dy triumfe të tjera me përfaqësuesen holandeze në Long Track of Nations, në vitet 2023 dhe 2026, si dhe një medalje argjendi në vitin 2025.
Përmes mesazhit të saj, FIM e kujtoi Hummel si një sportist të përkushtuar, me talent të jashtëzakonshëm dhe shpirt të fortë gare, i cili kishte fituar respektin e rivalëve dhe tifozëve.
Ndarja e tij e parakohshme nga jeta ka lënë në zi familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e ndoqën gjatë karrierës së tij sportive.
