Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin e të rinjve në Argjentinë, ku një 18-vjeçar ka humbur jetën pasi u godit fort në kokë nga topi i goditur nga një mbrojtës kundërshtar gjatë një ndeshjeje.
Abel Nunez po luante për ekipin e të rinjve FC Ezeiza në përballjen ndaj Deportivo Muniz, kur një goditje e fuqishme e topit e la të rrëzuar në fushë dhe pa reagim. I riu u transportua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Sipas dëshmitarëve, mbrojtësi i Deportivo Muniz e largoi topin në një moment kur ishte nën presion. Goditja ishte aq e fortë sa topi përshkoi vetëm pak metra pa marrë lartësi dhe e goditi drejtpërdrejt Nunez në kokë.
Një prej personave që ndoqi nga afër ngjarjen, gazetari sportiv Cristian Rompani, e përshkroi momentin si një nokaut në boks.
“Ishte një ndeshje shumë e qetë, por me shumë përplasje. Një mbrojtës i Muniz, nën presion, largoi topin. Ishte e vetmja mundësi që kishte. E goditi me një forcë të pazakontë. Në gati 30 vite që ndjek futbollin e të rinjve, nuk kam parë kurrë një goditje të tillë”, rrëfeu ai.
“Topi nuk u ngrit në ajër dhe, vetëm katër apo pesë metra më tutje, goditi Abel në kokë. Ishte si një nokaut. Djali u rrëzua dhe nuk reagonte fare”, shtoi dëshmitari.
Në spital, mjekët konstatuan se 18-vjeçari kishte pësuar frakturë të kafkës dhe hemorragji të brendshme. Sipas Rompanit, edhe mjeku që ndërhyri në fushë kishte vënë re se frymëmarrja e të riut ishte e pazakontë.
Pas lajmit për gjendjen e rëndë të lojtarit, FC Ezeiza kishte publikuar një mesazh solidariteti, duke u bërë thirrje anëtarëve të klubit, familjarëve dhe miqve të bashkoheshin në lutje për shërimin e tij. Pas konfirmimit të vdekjes, klubi ndau një tjetër reagim prekës, duke e cilësuar humbjen si një nga momentet më të dhimbshme në historinë e tij.
“Me dhimbje të thellë dhe trishtim të jashtëzakonshëm, i themi lamtumirë një të riu që kishte gjithë jetën përpara. Një humbje që lë një boshllëk të papërshkrueshëm”, thuhej në deklaratë.
Ndeshja u ndërpre menjëherë pas incidentit. Edhe klubi kundërshtar, Deportivo Muniz, shprehu ngushëllimet për familjen e Abel Nunez, miqtë e tij dhe gjithë komunitetin e FC Ezeiza.
