Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën një futbollisti 20-vjeçar në Poloni. Oskar Kordus ndërroi jetë disa orë pas një përplasjeje tragjike, ku një dre përfundoi brenda automjetit të tij.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së hënës, më 21 shtator, në rrugën provinciale DW434, në segmentin mes Krajewice dhe Grabonóg, pranë Gostyń.

Sipas të dhënave paraprake të autoriteteve, një dre u fut papritur në rrugë dhe u përplas me një Volkswagen që drejtohej nga një 52-vjeçar. Nga goditja, kafsha u hodh në korsinë e kundërt, pikërisht në momentin kur aty po kalonte BMW-ja e drejtuar nga Kordus.

Përplasja ishte fatale. Dreri theu xhamin e përparmë të BMW-së dhe përfundoi në kabinën e automjetit, duke goditur rëndë futbollistin. Më pas, makina doli nga rruga dhe u përmbys në një kanal.

Kordus u gjet pa shenja jete nga ekipet e shpëtimit, të cilat nisën menjëherë reanimimin. Pas ndërhyrjes së ekipeve mjekësore, funksionet jetësore të 20-vjeçarit u rikthyen dhe ai u transportua me helikopter drejt një spitali në Poznań.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, futbollisti nuk mundi t’u mbijetonte plagëve. Ai ndërroi jetë rreth orës 22:30 të së njëjtës ditë.

Drejtuesi i Volkswagenit, 52 vjeç, nuk pësoi dëmtime. Policia vijon hetimet për të përcaktuar të gjitha rrethanat e aksidentit.

Kordus ishte pjesë e Kania Gostyń, skuadër së cilës iu bashkua para nisjes së këtij sezoni. Më herët, mbrojtësi kishte luajtur për Korona Piaski, ndërsa në të kaluarën kishte qenë edhe pjesë e akademisë KGHM Zagłębie Lubin.

Klubi i tij reagoi me dhimbje pas lajmit tragjik.

“Me trishtim dhe mosbesim të madh mësuam për vdekjen e futbollistit tonë, Oskar Kordus”, thuhej në reagimin e Kania Gostyń, e cila shprehu ngushëllimet për familjen, të afërmit dhe miqtë e 20-vjeçarit.

Vdekja e Kordus ka tronditur komunitetin lokal të futbollit në Poloni.