Ish-boksieri nga Porto Riko, Prichard Colon ka ndërruar jetë në moshën 33-vjeçare, 11 vite pasi një dëmtim i rëndë në tru e la në koma pas një ndeshjeje të diskutueshme në ring.
Lajmin e ka bërë të ditur babai i tij, Richard Colon, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Me keqardhje ju njoftoj për ndarjen nga jeta të djalit tim Prichard nga kjo botë. Tani ai është në një botë më të mirë”, shkroi babai i ish-boksierit, duke falënderuar të gjithë ata që e kishin mbështetur familjen me dashuri dhe lutje ndër vite.
Colon ishte një nga talentet më premtues të boksit profesionist. Para ndeshjes fatale, ai kishte një rekord prej 16 fitoresh dhe asnjë humbjeje, me 13 prej tyre të ardhura me nokaut.
Në vitin 2015, ai u përball me amerikanin Terrel Williams në një duel që do të ndryshonte përgjithmonë jetën e tij.

Gjatë ndeshjes, Colon u godit disa herë në pjesën e pasme të kokës, goditje që janë të paligjshme në boks. Boksieri portorikan i kërkoi arbitrit të ndërhynte, por përballja vazhdoi.
Në raundin e nëntë, Colon u rrëzua në tapet. Më pas ndodhi një konfuzion i madh, pasi ekipi i tij mendoi se ndeshja kishte përfunduar dhe i hoqi dorezat. Megjithatë, arbitrat e shpallën Colon të skualifikuar.
Gjendja e tij u përkeqësua menjëherë pas përballjes. Ai u dërgua në dhomën e zhveshjes, ku filloi të vjellë dhe më pas humbi ndjenjat.
Në spital, mjekët konstatuan një hematomë subdurale, një grumbullim gjaku në tru që shkakton presion mbi trurin.
Colon iu nënshtrua një operacioni urgjent për të reduktuar ënjtjen e trurit dhe për të hequr hematomën. Pas ndërhyrjes, ai ra në koma, e cila zgjati 221 ditë.
Pas zgjimit nga koma, Colon mbeti në një gjendje vegjetative dhe nuk ishte në gjendje të komunikonte normalisht. Për të komunikuar, ai kishte nevojë për ndihmën e një kompjuteri.
Gjatë gjithë këtyre viteve, kujdesi për të u mor nga familja e tij, e cila qëndroi pranë tij deri në momentet e fundit.
Para se të bëhej profesionist, Colon kishte spikatur edhe në boksin amator, duke fituar tituj kombëtarë në kategoritë 141 dhe 152 paund. Ai tentoi të siguronte një vend në Lojërat Olimpike të Londrës 2012 përmes turneut paraolimpik në Brazil, por u eliminua në raundin e parë.
Po atë vit vendosi të kalonte në boksin profesionist. Debutimin e zhvilloi në shkurt 2013 dhe më pas regjistroi 16 fitore radhazi në pak më shumë se dy vite.
Humbja ndaj Terrel Williams ishte e vetmja disfatë në karrierën e tij profesionale.
Top Channel
