Futbolli anglez është tronditur nga një ngjarje e rëndë, pasi futbollisti i ri Billy Vigar ka ndërruar jetë në moshën vetëm 21-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga familja e tij, disa ditë pasi Vigar pësoi një dëmtim të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje në Angli.

Ngjarja ndodhi të shtunën në stadiumin e Wingate & Finchley, gjatë një ndeshjeje të ligës Isthmian League Premier Division. Vigar, i cili luante si sulmues për ekipin e Chichester City, u përplas me një mur betoni teksa përpiqej të mbante topin në lojë. Ai u dërgua menjëherë në spital dhe u vendos në gjendje kome të induktuar për shkak të dëmtimit të rëndë në tru.

Të martën, mjekët kryen një ndërhyrje kirurgjikale për të ndihmuar në përmirësimin e gjendjes së tij, por pa sukses. Sipas njoftimit të familjes, Billy ndërroi jetë mëngjesin e së enjtes.

Klubi i Chichester City njoftoi anulimin e ndeshjes së fundjavës dhe publikoi një mesazh ngushëllimi për lojtarin, duke e përshkruar atë si një djalë të dashur dhe pjesë të rëndësishme të klubit.

Vigar ishte më parë pjesë e akademisë së Arsenalit, ku luajti për ekipin U21 deri në vitin e kaluar. Gjatë karrierës së tij të shkurtër ishte huazuar edhe te Derby County dhe Eastbourne Borough, ekipe që gjithashtu reaguan me mesazhe të dhimbshme pas lajmit të vdekjes.

Federata Angleze e Futbollit shprehu ngushëllimet e saj përmes një deklarate, duke thënë se është e shkatërruar nga lajmi dhe se mendimet e tyre janë me familjen dhe të afërmit e lojtarit.

Në rrjetet sociale janë shtuar thirrjet që në ndeshjet e fundjavës në të gjitha ligat jo-profesionale në Angli të mbahet një minutë heshtje në nder të Billy Vigar. Ai do të kujtohet jo vetëm si një futbollist premtues, por edhe si një djalë i dashur brenda dhe jashtë fushës.