Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin spanjoll, teksa një portier vetëm 19 vjeç ka ndërruar jetë.
Sipas mediave vendase, Raul Ramirez Osorio ka humbur jetën pasi u dëmtuar rëndë duke marrë një goditjeje të fortë në kokë gjatë ndeshjes mes Colindres dhe Revilla, e vlefshme për ligën e pestë spanjolle.
Incidenti ndodhi të shtunën, kur Osorio ra pa ndjenja në fushë dhe pësoi arrest kardiak. Trajneri i tij reagoi menjëherë duke i dhënë frymëmarrje artificiale, ndërsa një studente e infermierisë që ndodhej si spektatore arriti ta rikthente përkohësisht në jetë me manovra shpëtimi. Futbollisti u dërgua në gjendje kritike në spital, ku u shtrua në kujdes intensiv. Pas dy ditësh luftë për jetën, mjekët konfirmuan ndarjen e tij nga jeta.
Klubi i tij, Colindres, reagoi fillimisht me një mesazh shprese për gjendjen e portierit: “Duam t’i dërgojmë shumë forcë portierit tonë Raul Ramírez dhe gjithë familjes së tij. Gjatë ndeshjes së djeshme kundër Revilla ai pësoi një goditje për të cilën është i shtruar në spitalin Valdecilla”.
Ndërkohë, Federata Mbretërore e Futbollit të Kantabrisë publikoi sot një deklaratë zyrtare ku theksoi: “Federata Mbretërore e Futbollit të Kantabrisë shpreh keqardhje të thellë për të njoftuar se portieri i Colindres, Raul Ramirez, ka ndërruar jetë pas një përplasjeje aksidentale gjatë ndeshjes së së shtunës së kaluar”.