Futbolli kazak dhe i gjithë komuniteti sportiv janë tronditur nga lajmi i hidhur për vdekjen e futbollistit të ri Dias Toleu, vetëm 19 vjeç. Ngjarja ka ndodhur gjatë një ndeshjeje zyrtare të Ligës së Parë, mes ekipeve Khan Tengri dhe Ekibastuz, e vlefshme për javën e 25-të të kampionatit.
Sipas raportimeve, në minutën e 65-të të takimit, Toleu u rrëzua papritur në fushë. Edhe pse mjekët ndërhynë menjëherë, më pas u konfirmua humbja tragjike e jetës së tij. Shkaku i vdekjes ende nuk është bërë publik, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Dias Toleu, i lindur në Almaty, ishte produkt i akademisë së njohur Kairat Almaty dhe konsiderohej një talent premtues. Në prill të këtij viti iu bashkua skuadrës së Khan Tengri, ku po hidhte hapat e parë në futbollin profesionist. Ai spikaste për përkushtimin, shpirtin luftarak dhe dashurinë e madhe për lojën.
Federata e Futbollit të Kazakistanit reagoi me një deklaratë zyrtare: “Me trishtim të thellë japim lajmin për ndarjen nga jeta të sulmuesit të ri, Dias Toleu. Edhe pse në një moshë shumë të re, ai spikaste për talentin dhe pasionin e tij për futbollin. Ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për familjen, miqtë dhe klubin e tij.”