Trajneri i Genoas, Daniele De Rossi, ka rezervuar fjalë vlerësuese për mbrojtësin shqiptar Mario Mitaj, duke theksuar se afrimi i tij do t’i japë më shumë cilësi dhe alternativa skuadrës italiane.

Pas ndeshjes miqësore ndaj Leicester City, tekniku italian u pyet për futbollistin e Kombëtares shqiptare dhe nuk i kurseu elozhet, duke vënë në dukje aftësitë e tij teknike dhe mënyrën se si ndikon në lojën e ekipit.

“Mitaj ka cilësi shumë të mira. Është një lojtar që di ta nxjerrë skuadrën përpara me topin, e qarkullon lojën me inteligjencë dhe i jep ritëm ekipit. Edhe pse nuk ka një fizik imponues, është shumë i shpejtë, ka kontroll të shkëlqyer të topit dhe di të avancojë vazhdimisht me siguri,” tha De Rossi.

Më tej, trajneri i Genoas e krahasoi 22-vjeçarin me dy mbrojtës të njohur të futbollit evropian, Angelino dhe Martini, duke theksuar se forca e tyre nuk qëndron te fiziku, por te cilësia me topin.

“Mitaj më kujton lojtarë si Martini apo Angelino. Nuk janë mbrojtës të mëdhenj fizikisht, por kanë aftësinë të marrin gjithmonë vendimin e duhur me topin. Pikërisht kjo cilësi do ta ndihmojë skuadrën tonë të rritet,” u shpreh ai.

De Rossi la të kuptohet se shqiptari nuk do të kufizohet vetëm në rolin e mbrojtësit të majtë, pasi beson se falë inteligjencës taktike dhe karakteristikave të tij mund të përshtatet edhe në pozicione të tjera në fushë.

“Kam bindjen se ai mund të luajë edhe në role të tjera. Është një futbollist me potencial për të mbuluar më shumë se një pozicion,” deklaroi trajneri.

Mitaj nuk u aktivizua në miqësoren e fundit të Genoas, por De Rossi sqaroi se kjo ishte një zgjedhje e stafit teknik dhe jo pasojë e ndonjë problemi fizik.

“Ai është në gjendje të mirë, por preferuam të mos e aktivizonim. Ka kaluar ditë shumë intensive me vizitat mjekësore, prezantimin dhe procedurat e transferimit. Është ende pak prapa pjesës tjetër të grupit në aspektin e ngarkesës stërvitore, por të dhënat fizike tregojnë se do të arrijë shumë shpejt formën optimale,” përfundoi tekniku italian.