Tre skuadra shqiptarë do të luajnë në turin e tretë kualifikues të Confrence League. Dinamo, Egnatia dhe Ballkani arritën të kualifikoheshin mbrëmjen e djeshme mes golash, por dhe situatash dramatike.

Në ‘Elbasan Arena’, Dinamo barazoi 1-1 kundër skuadrës nga Andorra, Atletic D’Escaldes. Falë fitores 1-2 në ndeshjen e parë ekipi i Ilir Dajës merr një sukses historik, pasi pas rikthimit në Evropë pas 15 vitesh siguron për herë të parë turin e tretë në një turne të UEFA-s.

Sfida nisi mjaft mirë për të besuarit e Dajës, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 18-të me anë të yllit Baton Zabërgja, pas një gafe në mbrojtjen mike. Por në fillimin e pjesës së dytë, Atletic D’Escaldes barazoi shifrat me anë të Berlangas. Gjërat u vështirësuan për tanët, pasi në minutën e 53-të ngelën me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të mesfushorit Karamba. Paçka kësaj, Dinamo mbajti rezultatin dhe kalon më tej.

Në Rrogozhinë, kampionët e Shqipërisë, Egnatia fitoi 1-0 kundër kampionëve të Bjellorusisë, Dinamo Minsk dhe me rezultatin e përgjithshëm 3-0 kalon në turin e tretë ku gjen përballë Olimpija Ljubjanën. Golin e fitores këtë të enjte për Egnatian e shënoi Kastriot Selmani me një goditje klasi.

Nga ana tjetër, Vllaznia nuk ia doli, teksa humbi 4-2 me Vikingur Reykjavik në sfidën e kthimit në Islandë. Edhe pse fitoi 2-1 në Shkodër, Vllaznia eliminohet nga turneu. Dy golat e Bekim Balaj nga penalltia nuk i shërbyen ekipit të Edi Martinit që tanimë e shohin veten jashtë Evrope.

Ballkani i Suharekës ka arritur kualifikimin për në turin e tretë të Conference League, kjo pas barazimit 1-1 në Maltë me Floriana. Sfida e parë e luajtur në Prishtinë u fitua 4-2 nga ana e ekipit të Orges Shehit, gjë që i dha një avantazh të madh në sfidën e kthimit në Maltë. Takimi nisi më mirë për vendasit që kaluan në avantazh në minutën e 38-të, por pas 8 minutash ishte Adetunji që riktheu qetësinë te ekipi nga Kosova. Ballkani më tej gjen Shamrock Rovers.

Në ‘Fadil Vokrri’, Prishtina barazoi 1-1 pas 120 minutave kundër Larne. Nga pika e bardhë më të saktë ishin miqtë nga Irlanda e Veriut që kalojnë më tej.

Tashmë, Egnatia dio duhet të përballet me skuadrën sllovene, Olimpija Ljubljana, Dinamo me Hajduk Split të Kroacisë dhe Ballkani me irlandezët e Shamrock Rovers.