Deklaratat e Javier Zanetti për talentin argjentinas Nico Paz kanë shkaktuar reagim të fortë nga trajneri i Comos, Cesc Fàbregas.
Zanetti kishte vlerësuar publikisht mesfushorin e ri duke deklaruar se ai është në rrugën e duhur për t’u bërë një lojtar i madh dhe se futbollistë të tillë kërkohen nga klubet më të mëdha.
Por këto komente nuk janë pritur mirë nga Fàbregas, i cili kërkoi më shumë respekt për situatën kontraktuale të lojtarit.
Trajneri spanjoll reagoi ashpër në konferencë për shtyp, duke theksuar se vetëm Real Madrid dhe Como kanë të drejtë të flasin për të ardhmen e lojtarit.
“Zanetti ka qenë një figurë shumë e rëndësishme në futboll dhe i njeh mirë këto dinamika. Por Nico është 50% lojtar i Comos dhe i vetmi klub që mund të flasë është Real Madridi,” deklaroi Fàbregas.
Ai shtoi se nuk i kanë pëlqyer “mesazhet e vogla” që vijnë nga jashtë klubit dhe bëri të qartë pozicionin e tij: “Një gjë është e sigurt: Nico Paz nuk do të luajë për Interin. Ose do të rikthehet te Real Madridi, ose do të luajë përsëri për Comon sezonin e ardhshëm.”
Fàbregas foli edhe për gjendjen fizike të lojtarit përpara sfidës së rëndësishme ndaj Cremonese, takim që mund të vendosë fatin europian të Comos për sezonin e ardhshëm.
Sipas trajnerit, stafi teknik po vlerëson nëse Nico Paz do të jetë gati për të luajtur të dielën.
“Po shohim nëse mund të luajë apo jo, por ai e meriton të jetë në fushë sepse na ka ndihmuar shumë,” përfundoi tekniku spanjoll.
Top Channel
