Fitorja historike e Shqipërisë në Leskovc kundër Serbisë është padyshim momenti më i përfolur në vend ditët e fundit, jo vetëm për afrimin e kuqezinjve në një kualifikim të mundshëm në Botërorin 2026, por edhe për historinë mes dy vendeve.
Moderatorja Grida Duma e nisi pikërisht me këtë temë puntatën e kësaj të hëne në Top Story. Ajo falënderoi ekipin Kombëtar për këtë triumf historik, duke mos i kursyer lavdet për të gjithë protagonistët e kësaj fitoreje.
“Do të kishte qenë krejt e pavend në rast se nuk do të thurnim lavde apo një nisje me atë që është më shpirtërorja e kësaj fundjave dhe e kësaj simbolike, që për disa që mund të jenë më skeptikët e kësaj bote, mund të thonë: ‘Si është e mundur që një gol i Kombëtares tonë, të ngjallë e të ndezë emocione kaq të forta patriotike që nuk i kanë ngjallur plotë dimensione të tjera? Pse sporti dhe jo diçka tjetër?’. Sepse, sa më shkurtë thonë, më të mirët e një vendi, më të shpejtët e një vendi, më taktikët e një vendi, më të stërviturit e një vendi janë pjesë e atij grupimi që garon për të gjithë.
Ka ndodhur në politikë, ndodh kudo, kur dy kandidatë shfaqen përballë njëri-tjetrit, nuk janë turmat ato që zihen, përplasen dhe debatojnë. Janë dy prijësit, që në një mënyrë ose një tjetër, përcaktojnë edhe fituesin qoftë edhe nga një debat mes dy krerëve. E njëjta gjë ndodh me sportin, e njëjta gjë ndodh me artin në çdo dimension. Kur më të mirët e një vendi, arrijnë të thurin një fitore, sidomos në trusni, një trusni që vendos shqiptarët në Ballkan përballë trysninë më të madhe etnike që ka qenë ajo me serbët në vendosje me shpinë pas murit për të vendosur ne ose ata. Dhe këtë nuk e kanë bërë shqiptarët, por e kanë bërë serbët duke e përcaktuar faktorin shqiptar si të pavend në vendin e vetë.
E pra kur më të mirët e sportit arrijnë, jo si një rastësi, por si një mjeshtëri, një fitore të kësaj natyre, ata meritojnë një himn dhe një mirënjohje për të gjithë grupin që nuk është vetëm te lojtarët, por te gjithë mjeshtëria, që është federatë, lojtarë, grupim, trajner, të cilët i japin shqiptarëve një vetëbesim për t’u ndierë më të mirët në Ballkan. Për këtë arsye e nisëm me këtë vlerësim mirënjohje, falënderimi, për atë që lidhet me gjithë Shqipërinë, që edhe në këto debate, luftojmë për të njëjtin qëllim, për atë vetëndjerjen mirë të shqiptarëve. I themi të gjithë si Top Story, faleminderit që na e dhatë si ndjesi”, tha Duma.