Liverpool ka përjetuar një tjetër natë të çmendur ku tifozë në çdo cep të qytetit kanë festuar gjatë triumfin pas 30 vitesh në Premier League. Qindra prej tyre u bashkuan jashtë dyerve të stadiumit në pamundësi për të festuar me të besuarit të Jurgen Klopp.
Pavarësisht se situata nuk është në favor të tyre, tifozët e kuq shpërfillën masat kundër Covid-19 duke festuar të grumbulluar. Kjo detyroj policinë të ndërhyj për të shpërndarë tifozët e shumë të cilët me fishekzjarrë e me flakadanë ndezën ambientin jashtë stadiumit “Anfild Rou”.
Klopp do të kujtohet përjetësisht në Liverpool si trajneri që brenda dy viteve arriti të triumfoj fillimisht në Champions League dhe më pas në Premier League. 30 vite pritje janë shumë për një ekip legjendarë si Liverpool, kjo e bën edhe më të veçantë këtë trofe që për fat të keq nuk u festua si duhet për shkak të pandemisë që solli Covid-19.
Pas ndeshjes ndaj Chelsea, të përfunduar 5-3, çdo futbollist “Reds” mori medaljen nga dora e legjendës së Liverpool, Sir Kenny Dalglish, ndërsa kapiteni Jordan Henderson ngriti në qiell trofeun e shumëpritur nga tifozët.
Edhe pse në një “Anfield” të boshatisur, futbollistët festuan nën ritmet e këngës “You’ll Never Walk Alone”.
“Ishte e pabesueshme, do të jetë edhe më e bukur kur të jenë edhe tifozët tanë. Më vjen keq që tifozët nuk ishin prezent por kjo ishte mënyra e vetme për të rikthyer të luanim futboll. Për fat të keq nuk mund ta ndryshojmë këtë situatë. Lojtarët ishin ata që bënë diferencën, përballë Chelsea ishte një ndeshje spektakolare. Është shumë e rëndësishme të mbajmë gjithnjë këtë mentalitet, duhet të jemi gjithnjë konstant në objektivat tonë, të ruajmë gjithnjë të njëjtin nivel”, u shpreh Klopp.