Kupa e Pavarësisë
Finalja Prishtinë-Shkëndija u vendos nga ruleta e penalltive
Altin Manallari
Është Shkëndija e Tetovës fituesja e Kupës së Pavarësisë në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në vazhdën e festimeve të shumta në mbarë vendin, por që epiqendrën e ka në Vlorë, atje ku më 28 Nëntor 1912 Ismail Qemali shpalli mëvetësinë e shqiptarëve si shtet, por edhe në kryeqytet, ku veprimtari të shumta e të shumëllojshme priten gjatë ditës së sotme, Federata Shqiptare e Futbollit e mbështetur edhe nga platforma dixhitale “DigitAlb” organizuan edicionin e katër të Kupës së Pavarësisë, sipas traditës në stadiumin “Flamurtari”. Në gjysmëfinale ishin kualifikuar katër skuadra: Tirana, Shkëndija e Tetovës, Prishtina dhe Flamurtari mikpritës. Në bazë të shortit të hedhur një ditë më parë, ky turne nisi me ndeshjen e Tiranës (fituese të Kupës së Shqipërisë) dhe Shkëndijës (kampionë të Maqedonisë). Takimi 45 minutësh u mbyll me fitoren minimale 1-0 të skuadrës tetovare, e cila demonstroi një dëshirë më të madhe në kërkim të fitores. Goli i vetëm i ndeshjes u realizua nga Muzafer Ejupi, i cili arriti të përfundonte me sukses një aksion të bukur të Shkëndisë, e cila siguroi kështu një vend në finale. Menjëherë më pas në fushë zbritën Flamurtari (mikpritës) dhe Prishtina (kampione e Kosovës). Vlonjatët e drejtuar nga trajneri spanjoll, Rubio Sançez, nuk kanë mundur të shfrytëzojnë mbështetjen e tifozëve të tyre në shkallët e stadiumit, pasi koha e rregullt prej 45 minutash e kësaj përballjeje u mbyll në barazim 1-1. Të parët kaluan në epërsi futbollistët e Prishtinës pas golit të shënuar nga sulmuesi Astrit Fazliu, ndërsa golin e barazimit për vendasit e shënoi Ronenc Lelaj. Prandaj u deshën gjuajtjet nga pika e bardhë për të caktuar sfidantin e Shkëndijës së Tetovës. Kryeqytetasit e Kosovës kanë rezultuar të suksesshëm nga pika e bardhë e 11-metërshit, ku triumfuan me rezultatin 5-4. Në këtë mënyrë, finalja e kupës “Pavarësia”, që tashmë është bërë traditë dhe zhvillohet çdo vit, u diskutua mes dy skuadrave tej kufijve shtetërorë të Shqipërisë, Shkëndijës së Tetovës dhe Prishtinës. Si verdikt përfundimtar i edicionit të tretë të kupës “Pavarësia”, Shkëndija e Tetovës shpallet fitues i trofeut, duke ngritur lart edhe kupën përkatëse. Skuadrat finaliste nuk arritën të shënojnë gola gjatë 45 minutave lojë edhe pse skuadra prishtinase ishte shumë më e mirë, mirëpo nuk arriti të shënojë asnjëherë në portën kundërshtare. Rastin më të mirë për Prishtinën e pati sulmuesi Florim Bërbatovci, i cili doli përballë me portierin maqedonas, Nikov, por gjuajtja e tij shkoi jashtë portës. Nga penalltitë ishin futbollistët e Shkëndisë shumë më të sigurt apo më mirë të thuhet portieri Nikov, priti dy penallti të kaltërebardhëve, dhe kështu Kupa shkoi në Tetovë. Medaljet dhe trofetë u dorëzuan nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe atij të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Në tri edicionet e para, trofetë janë fituar nga Flamurtari, Renova dhe Hysi
Katër fitues në katër edicione, por duket si “kupa e penalltive”
Kupa e Pavarësisë, është trofeu më i ri në futbollin shqiptar, i cili organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit në qytetin e Vlorës. Fillesa e këtij turneu daton më 28 nëntor 2009, që shënoi edhe edicionin e parë të saj, për t’u kthyer më pas në një traditë të përvitshme, por në tre nga katër edicionet e deritanishme fituesi është vendosur vetëm pas gjuajtjeve të penalltive. Në edicionin e parë morën pjesë tri skuadra, Flamurtari i Vlorës, Prishtina e Kosovës dhe Shkëndija e Tetovës, të cilat u ndeshën mes tyre, por të tri takimet e zhvilluara përfunduan pas gjuajtjes së 11-metërshave. Në edicionin e vitit 2010, numri i skuadrave u zgjerua dhe përveç Flamurtarit mikpritës morën pjesë Besa e Kavajës, fituesja e Kupës së Kosovës, Iliria e Prizrenit, kampionia e Maqedonisë, Renova dhe ekipi shqiptar nga Mali i Zi, Otrantin e Ulqinit. Ndryshe nga edicioni i mëparshëm, në finale nuk pati asnjë skuadër shqiptare, por u luajt mes Otrantos dhe Renovës. Skuadra e shqiptarëve të Maqedonisë fitoi me rezultatin 1-0. Ndërkohë që Hysi i Kosovës u shpall fituesi i edicionit të tretë të turneut tradicional mbarëshqiptar ‘Kupa Pavarësia 2011’, pasi në ndeshjen finale mundi Shkëndijën e Tetovës me rezultat 3:0 pas ekzekutimit të penalltive, sepse koha e rregullt mes tyre nuk nxori fitues. Përveç Hysit fitues në këtë edicion merrnin pjesë edhe Flamurtari vendas, Shkëndija e Tetovës nga Maqedonia dhe Otranto e Ulqinit nga Mali i Zi.
Kupa e Pavarësisë
Finalet 2009
Flamurtari-Shkëndija 0-0
(11-10 me penallti)
Prishtina-Shkëndija 0-0
(4-5 me penallti)
Flamurtari-Prishtina 0-0
(3-1 me penallti)
Finalja 2011
Hysi-Shkëndija 0-0
(3-0 me penallti
Finalja 2012
Prishtina-Shkëndija 0-0
(3-5 me penallti)
Vlorë
Pjesëmarrësit, darkë festive para garës
Në fakt, finalet e Kupës së Pavarësisë 2012 në Vlorë kanë nisur që të hënën, me organizimin e një ceremonie të veçantë, në një nga hotelet e qytetit bregdetar, ku merrnin pjesë përfaqësuesit e katër ekipeve finaliste. Në praninë e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, si dhe atij të FFK-së, Fadil Vokrri, janë ndarë disa dhurata për klubet e Flamurtarit, Tiranës, Prishtinës dhe Shkëndijës së Tetovës. Më pas të pranishmit kanë darkuar së bashku, ku nuk kanë munguar madje as batutat mes përfaqësuesve të katër klubeve dhe krerëve të federatave. Kohë kur është hedhur edhe shorti.
Mungesa
Angazhimet e shumta, Renova u tërhoq
Për shkak të angazhimeve të shumta në kampionat dhe ndeshjes kthyese të çerekfinales së Kupës së Maqedonisë me Teteksin, drejtuesit e Renovës kanë vendosur që të mos marrin pjesë në turneun tradicional mbarëkombëtar, i cili me rastin e Pavarësisë së Shqipërisë organizohet çdo vit në Vlorë. Në raundin eliminator ishte parashikuar që Renova të përballej me Shkëndijën më 20 nëntor në qytetin e Kukësit. Por Renova duhej të ndeshej me ekipin maqedonas Teteksi më 21 nëntor, drejtuesit e klubit vendosën që të tërhiqen nga ky turne, duke shprehur keqardhje të madhe për pamundësinë.
