Mesfushori i Zurich, Valon Berisha, ka kaluar një moment të rëndë pasditen e së dielës, pasi kushëriri i tij humbi jetën në një aksident të tmerrshëm rrugor në Austri.
Aksidenti ndodhi në Westautobahn, kur furgoni ku udhëtonte kushëriri i Berishës doli nga rruga dhe përplasi ballë për ballë një barrierë druri. Berisha, i cili po udhëtonte me makinën që ishte përpara, pa ngjarjen fatale në pasqyrën e pasme dhe ndaloi menjëherë për të ofruar ndihmën e parë, së bashku me disa kalimtarë të tjerë. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit të urgjencës, 38-vjeçari u shpall i vdekur në vendngjarje.
Klubi i Zurich reagoi me një deklaratë, duke theksuar tronditjen për aksidentin: “FC Zurich është thellësisht i tronditur nga aksidenti tragjik në Austri, në të cilin humbi jetën një i afërm i ngushtë i lojtarit tonë Valon Berishë. Valon nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në aksident, por ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjes.”
Klubi shprehu mbështetje të plotë për Berishën, duke u zotuar se do të qëndrojnë pranë tij dhe do ta mbështesin në këtë moment të vështirë.
