Barcelona ka marrë një lajm shqetësues nga finalja e Copa Catalunya ndaj Sabadell, ku talenti belg Jesse Bisiwu u detyrua të largohej nga fusha vetëm pak minuta pas nisjes së takimit.

Futbollisti 18-vjeçar, i cili iu bashkua klubit katalanas gjatë merkatos së verës, ishte titullar me Barça Atlètic, por aventura e tij në finale zgjati vetëm rreth 10 minuta. Bisiwu pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës dhe nuk ishte në gjendje të vazhdonte ndeshjen, duke u larguar nga fusha me barelë.

Pamjet fillestare krijuan shqetësim për mundësinë e një dëmtimi të rëndë. Megjithatë, sipas raportimeve të “Diario Sport”, kontrollet e para kanë përjashtuar praninë e një frakture.

Barcelona pritet ta nënshtrojë lojtarin ekzaminimeve të tjera për të përcaktuar natyrën dhe shkallën e dëmtimit, si dhe kohën që mund t’i nevojitet për t’u rikthyer në fushë. Pas ndeshjes, 18-vjeçari është parë duke lëvizur me ndihmën e patericave.

Situata e Bisiwu po ndiqet me vëmendje edhe nga stafi i ekipit të parë. Talenti belg konsiderohet një prej lojtarëve të rinj që mund të ketë hapësira në skuadrën kryesore gjatë sezonit, ndaj një mungesë e gjatë do të ishte një goditje si për zhvillimin e tij, ashtu edhe për planet e klubit katalanas.

Tashmë te Barcelona pritet rezultati i ekzaminimeve të detajuara, të cilat do të përcaktojnë edhe periudhën e mundshme të rikuperimit të 18-vjeçarit.