Bota e automobilizmit është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të Alan Jones, ish-pilotit australian që u shpall kampion bote në Formula 1 në vitin 1980, në timonin e Williams. Legjenda e garave automobilistike ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare, pas një sëmundjeje të shkurtër.

Gjatë karrierës së tij, Jones u shndërrua në një nga emrat më të rëndësishëm të Formula 1, duke regjistruar 12 fitore në garat Grand Prix dhe duke shkruar historinë me triumfin e tij në kampionatin botëror.

Ai mbetet një nga vetëm dy australianët që kanë arritur të kurorëzohen kampionë bote në Formula 1, krahas ikonës së këtij sporti, Jack Brabham.

Ndarja e tij nga jeta u bë e ditur nga familjarët, të cilët e përshkruan si një njeri me pasion të jashtëzakonshëm për garat automobilistike, të cilave u kushtoi pjesën më të madhe të jetës.

Me sukseset e tij, Alan Jones jo vetëm ngriti lart emrin e Australisë në arenën ndërkombëtare, por kontribuoi edhe në konsolidimin e Williams si një prej skuadrave më të rëndësishme në historinë e Formula 1.

Largimi i tij shënon humbjen e një prej figurave historike të këtij sporti, ndërsa arritjet dhe trashëgimia që la pas do të kujtohen për shumë breza.