Një udhëtim me skuadrën është kthyer në një ngjarje tragjike në Gjermani, ku një futbollist amator 30-vjeçar humbi jetën pasi dyshohet se u helmua nga një prej bashkëlojtarëve të tij.
Për ngjarjen është arrestuar më 1 shtator një 35-vjeçar, pjesë e klubit TuS Rockenberg, i identifikuar si Marius. Sipas hetimeve, ai dyshohet se i ka dhënë fshehurazi një substancë helmuese bashkëlojtarit të tij, Filipit, gjatë një udhëtimi të ekipit në Drezden.
Gjendja e 30-vjeçarit nisi të përkeqësohej gjatë udhëtimit. Pasi u kthye në shtëpi, simptomat u rënduan dhe familjarët thirrën ambulancën. Ai u transportua në spital, por ndërroi jetë të nesërmen, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve.
Fillimisht, familjarët dyshuan për helmim ushqimor, pasi viktima kishte konsumuar peshk gjatë udhëtimit. Megjithatë, autopsia nxori në pah se vdekja ishte shkaktuar nga helmimi, i cili kishte sjellë dëmtime të rënda dhe mosfunksionim të organeve.
Hetimet e mëtejshme çuan autoritetet drejt bashkëlojtarit të tij. Prokurori Thomas Hauburger deklaroi se një nga pistat kryesore është ajo e hakmarrjes.
Ndërkohë, në Rockenberg janë përhapur pretendime se mes dy futbollistëve mund të ketë pasur një konflikt për shkak të një gruaje. Kjo pistë, megjithatë, nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
I arrestuari ndodhet në paraburgim dhe, deri më tani, ka zgjedhur të mos flasë për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
