Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë për një çështje që lidhet me Botërorin 2030. Sipas raportimit të emisionit sportiv spanjoll El Partidazo de COPE, në Federatën Spanjolle të Futbollit (RFEF) ekziston frika se finalja e Kupës së Botës 2030 mund të mos zhvillohet në Spanjë, por në Marok, për shkak të ndikimit dhe preferencës së Trumpit. Gazetari Juanma Castaño deklaroi se ekziston bindja se presidenti amerikan dëshiron që ndeshja finale të luhet në Marok.
“Ekziston frika se Donald Trump dëshiron që finalja e Botërorit 2030 të zhvillohet në Marok. Madje kjo është shumë e qartë. Trump ka një antipati të veçantë ndaj Spanjës, ndërsa Maroku është një partner i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara”, u tha në emision.
Edicioni i vitit 2030 i Kupës së Botës do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa ndeshjet hapëse do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai. Megjithatë, FIFA ende nuk ka përcaktuar se ku do të luhet finalja e turneut. Në Spanjë, dy stadiume janë në garë për të pritur finalen: Spotify Camp Nou në Barcelonë dhe Santiago Bernabéu në Madrid. Nëse finalja i besohet Marokut, kandidati kryesor është Stadiumi Hassan II, një impiant me kapacitet rreth 115 mijë spektatorësh, i cili aktualisht është në ndërtim. Pak ditë më parë, presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Rafael Louzán, u shpreh i bindur se finalja duhet të zhvillohet në Spanjë.
“Nuk do të kishte kuptim që Spanja të mos ishte mikpritëse e finales së Botërorit. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se finalja duhet të luhet në Spanjë, sepse ky Botëror lindi si një projekt i Spanjës dhe Portugalisë, ndërsa Maroku iu bashkua më vonë”, deklaroi Louzán në një intervistë për Cadena SER.
Pavarësisht spekulimeve, FIFA ende nuk ka marrë një vendim zyrtar për stadiumin që do të presë finalen e Kupës së Botës 2030.
