Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se do t’i zhvendosë ndeshjet e Kupës së Botës që zhvillohet verën e ardhshme (11 qershor – 19 korrik 2026) larg qyteteve pritëse që ai i konsideron të rrezikshme. Presidenti amerikan tha se do të sigurohej që San Francisco dhe Seattle të ishin të sigurta, duke shtuar se qytetet “drejtoheshin nga të çmendur të së majtës radikale që nuk dinë çfarë po bëjnë”.

‘Lumen Field’ i Seattle dhe ‘Levi’ në Santa Clara, një orë larg San Franciscos do të presin nga gjashtë takime secili. Trump ka kërcënuar përsëri të dërgojë trupa federale në Çikago, pasi e ka bërë këtë në Los Angeles dhe Washington DC. Ai u zotua se Çikago do të bëhet i sigurt për Kupën e Botës.

“Këto qytete drejtohen nga ekstremistë të krahut të majtë që nuk dinë çfarë po bëjnë. Ne do të sigurohemi që këto ndeshje të zhvillohen në mënyrë të sigurt. Nëse mendojmë se një qytet mund të jetë sadopak i pasigurt për Kupën e Botës, do ta zhvendosim atë në një qytet tjetër”, ka thënë fillimisht Trump në Shtëpinë e Bardhë, kur u pyet për ndeshjet e Kupës së Botës të planifikuara në Seattle dhe San Francisco.

Trump vuri në dukje se “nëse mendojmë se një qytet do të jetë sadopak i pasigurt për Kupën e Botës ose Lojërat Olimpike (në Los Angeles në 2028), por veçanërisht për Kupën e Botës, duke pasur parasysh që gara është e përhapur në kaq shumë qytete, ne nuk do të lejojmë që lojërat të mbahen, ne do t’i zhvendosim ato”, tha 79-vjeçari.

Shorti për Kupën e Botës i cili do të bashkorganizohet nga SHBA-të, Kanadaja dhe Meksika, do të zhvillohet në Uashington D.C. më 5 dhjetor.