Trajneri i kombëtares angleze, Thomas Tuchel, ka vendosur të ndryshojë qasjen tradicionale të grumbullimit përpara Kupës së Botës 2026, duke lejuar që bashkëshortet dhe partneret e futbollistëve të vizitojnë skuadrën gjatë kampit stërvitor në Shtetet e Bashkuara.

Sipas raportimeve, ndryshe nga praktikat e mëparshme ku vetëm lojtarët dhe stafi teknik kishin akses në hotelin e ekipit në West Palm Beach, Florida, tekniku gjerman ka zgjedhur të krijojë një ambient më të relaksuar në prag të turneut.

Mes atyre që kanë përfituar nga kjo lehtësi raportohet të jetë edhe Ashlyn Castro, partnerja e Jude Bellingham, e cila ka udhëtuar për të takuar mesfushorin e Real Madridit pas një ndeshjeje përgatitore në Tampa. Mediat britanike shkruajnë se çifti ka kaluar një mbrëmje të qetë së bashku, ndërsa Castro ka ndarë edhe foto nga hoteli i kombëtares angleze.

Po ashtu, bëhet e ditur se kampin e kanë vizituar edhe Kate Kane, bashkëshortja e kapitenit Harry Kane, si dhe Layla Roye, partnerja e Kobbie Mainoo. Sipas burimeve pranë skuadrës, një qasje e tillë konsiderohet e pazakontë në prag të një turneu madhor.

Një burim i ekipit ka theksuar se vendimi i Tuchel synon të ulë presionin dhe të krijojë një atmosferë më të qetë për lojtarët përpara fazës intensive të përgatitjeve dhe udhëtimit drejt SHBA-së për Botërorin 2026.