Kupa e Shqipërisë


Skënderbeu dhe Teuta lënë gjithçka për ndeshjen e kthimit


kupa e shqiperiseKupa e Shqipërisë vazhdon të dhurojë pak emocione, ndonëse në garë kanë mbetur 16 skuadra dhe teorikisht, shkalla e vështirësisë së ndeshjeve duhej të ishte më e madhe. Në sfidat e djeshme kanë munguar surprizat e mëdha, pasi humbja në transfertë me diferencën e një goli e Teutës apo barazimi pa gola po në transfertë i ekipit të dytë të Skënderbeut, nuk mund të quhet e tillë, në një turne ku ndeshjet deri tani kanë qenë thjesht si stërvitore.


Skuadrat kanë menduar më shumë për ndeshjet e fundjavës në kampionat dhe kjo është arsyeja pse në Grupin A, Skënderbeu ka menduar që të zgjidhë gjithçka në fushën e vet në ndeshjen e kthimit përballë Tërbunit që ka rezistuar deri në fund të 90 minutave pa pësuar gol. Përballë kampionëve në fuqi, në fundjavë do të jetë Partizani, i cili ka fituar me minimumin e mundimit në Lushnjë përballë ekipit vendas, falë golit të Cuculit, ndërsa aktivizonte po ashtu si korçarët shumë prej lojtarëve rezervë. Dy fitore në transfertë që duket se kanë mbyllur çdo diskutim për kualifikimin janë ato të Laçit përballë Elbasanit dhe Flamurtarit ndaj Veleçikut. Në fakt, kjo e dyta as nuk mund të quhet ndeshje në transfertë për faktin se skuadra veriore ka pranuar të luajë të dy ndeshjet në Vlorë. Vlonjatët i kanë “falënderuar” në mënyrën e tyre, duke shënuar 6 herë në portën e Veleçikut në ndeshjen të cilën në tribunën VIP e kanë ndjekur përkrah njëri-tjetrit si trajneri i ri i vlonjatëve, italiani Ramella, ashtu si edhe ai i shkarkuari, Ernest Gjoka.


Në Grupin B, Vllaznia dhe Kukësi kanë fituar lehtësisht pasi kanë përdorur pjesën më të madhe të lojtarëve titullarë. Ndërkohë, Tirana ka fituar minimalisht në Ballsh, duke ruajtur forcat për kampionatin, pasi synon të rikthehet në krye të klasifikimit që në fundjavë. Ndërsa Teuta është mundur 2-1 në Fier përballë Apolonisë vendase, por ka treguar se ka forcat e duhura për të kthyer sfidën në favorin e vet në Durrës pas dy javësh, kur do të luhen ndeshjet e kthimit.


 


Kupa e Shqipërisë


Turi i Dytë


Grupi A


Tërbuni-Skënderbeu   0-0


Elbasani-Laçi   2-3


62′ Luta, 89′ (p) Toçi / 49′ Nimani, 51′ Doku, 87′ Zefi


Lushnja-Partizani    0-1


80′ Cuculi


Veleçiku-Flamurtari  1-6


72′ Hepaj / 25′, 57′ (p) Bregu, 47′, 53′ A. Shehaj, 65′ Meto, 69′ Llambro


 


Grupi B


Pogradeci-Kukësi     0-2


31′ Periç, 80′ Shameti


Apolonia-Teuta  2-1


7′ Naçi, 10′ Mahilaj / 37′ R. Hoxha


Bylis-Tirana    0-1


83′ Bushiç


Kastrioti-Vllaznia   0-4


22′ Gocaj, 27′, 44′ Sosa, 69′ Kraja



*Ndeshjet e kthimit luhen me 19 nëntor