Dragan Stojkoviç dha dorëheqjen nga posti i trajnerit të Serbisë pas humbjes që i shkaktoi Shqipëria në Leskovac. Një dorëheqje që në fakt ia kishin kërkuar me kohë opinioni sportiv por edhe tifozët në stadium, të cilët dje ia kërkuan largimin me kore edhe gjatë ndeshjes

Dhe “Piksi” nuk ngurroi të çonte duart lart në fundin e sfidës, duke lënë ndihmësin e tij të drejtonte ekipin deri në vërshëllimën përfundimtare, pas të cilës deklaroi se largohej dhe nuk do të drejtonte ekipin as pas tre ditësh në Andorra.

Kjo ka bërë që ndaj tij të vërshojë një lumë kritikash, sidomos nga ish-futbollisti Rade Bogdanoviç, për të cilin Stojkoviç kishte aluduar se do të bënte tifoz kundër Serbisë në këtë ndeshje dhe shumëkush e cilëson si “armikun e përbetuar” të “Piksit”.

“Turp. Është turp. Është turp, nuk është një vendim i çuditshëm, është turp. Të largohesh i pari kur matematikisht ka ende një shans, nëse ke qenë me atë grup për një kohë kaq të gjatë… Shko kundër Andorrës, mbaro dy ndeshje të tjera dhe largohu si zotëri. Është turp, një tradhti, një lloj arrogance.

Gjatë gjithë këtyre viteve kam ndjekur dhe analizuar teksa kam thënë se trajneri nuk mund të thotë se na çoi ai në Kampionatin Europian dhe Botëror. Kë more? Ose të morëm ne ty. Ndalo, ti je trajneri. Duhet të kesh respekt dhe vlerësim për njerëzit që të sollën dhe të kthyen nga anonimiteti”, ishin fjalët e Bogdanoviç pas ndeshjes së djeshme.